• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Po Gregu pse nuk ka një baba si të Shkëlzenit?


    Në respekt të lexuesit dhe të atyre që kanë dëgjuar me copa e janë informuar pjesë-pjesë, sot është dita të nxeheni keq me Saliun dhe me plot të tjerë aty brenda, që e kanë kthyer jetën parlamentare në një kor sorrash, në një çerdhe thashethemesh: Shpif e shpif se diçka do mbetet.

    Nga Mira Kazhani/ “Sot do doja të isha edhe fshesaxhie, vetëm ministre apo deputete në Parlament jo”, – i thashë një njeriu të afërm në telefon. Mezi prita që Gramoz Ruçi të shpallte një pushim, dhe dola në ballkonin e Tiranapost duke pirë një kapuçino dhe duke parë diellin që po largohej nën re, derisa nisi shiu në Tiranë.

    Sapo kisha postuar “25 rreshtat” kur seanca rifilloi me sulmet familjare, llahtaritë për djalin e Edi Ramës, Gregun: Jo të bindi Ilir Meta ta njihje, jo dokumentin e ka Mero Baze, e pafund tmerre, që mund të nxjerrë nga goja qenia politike. U pendova që i kisha botuar “25 rreshtat” aq shpejt, duke gjykuar vetëm disa batuta rruge dhe duke humbur temën e ditës, që në fakt quhet “familje”.

    Në respekt të lexuesit dhe të atyre që kanë dëgjuar me copa e janë informuar pjesë-pjesë, sot është dita të nxeheni keq me Saliun dhe me plot të tjerë aty brenda, që e kanë kthyer jetën parlamentare në një kor sorrash, në një çerdhe thashethemesh: Shpif e shpif se diçka do mbetet. Nga eksperienca ime modeste në median online, thashethemet ngjisin, dhe këtë politikanët e kanë mësuar dhe nuk lodhen të bëjnë politika për njerëzit, por boll të sulmojnë me skenarë skandalozë kundërshtarin dhe janë paq.

    Kështu, në respekt të atyre që lexojnë dhe sot më kanë shkruar në inbox, apo edhe i kam parë teksa bënin statuse, të mos e ndajnë indinjatën në mënyrë të përgjithshme. Sigurisht, të mos më besojnë verbërisht mua doemos, por të hapin kronikat, të dëgjojnë dhe të gjykojnë mëkatarin e vërtetë, atin tonë të shpifjeve, Saliun, të cilit po të duash t’i merresh me familjen e ka më interesante se shumë të tjerë. Por familjarët duhet t’i lëmë të qetë. Sa për Gregun, ai është rasti tipik, për të cilin duhet të flasin psikologët, se për Zenin nuk është lipsur as psikolog e as avokat, se ka baba jo llafe. Fati i Gregut që qëlloi babi Edi dhe jo Saliu që të mbron nga çdo furtunë.

    Përtej historisë së një djali i cili nuk e meriton atë ligjëratë, të paktën jo më, sot asnjëri s’ka pse të ishte në Parlament, Parlamenti duhet të jemi ne që e pamë nga jashtë dhe të reagojmë. Se si, secili e di vetë, boll të bëjmë diferencën e të mos themi më: Ehh, varja Berishës! /Tiranapost.al/