Sa nje kafe nga Iva

Po dashuria, ç‘hyn këtu?!

Po dashuria, ç‘hyn këtu?!

Nga Iva Tiço/ Një çift kanë festuar 82-vjetorin e martesës dhe fotografitë e festës së tyre kanë mbushur mediat e të gjithë botës. Ai 103 vjeç dhe ajo 100, përveç jetëgjatësisë me të cilën janë bekuar, kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve për shifrën sa një jetë të një martese: 82 vjet bashkë. Sigurisht janë pyetur për sekretin e kësaj lidhjeje të gjatë dhe nëse prisni të dëgjoni ndonjë formulë dashurie, atëherë jeni mprehur kot (link i lajmit në Tirana Post në fund të shkrimit). Madje, dashuria nuk hyn fare këtu, pasi, sipas çiftit, sekreti i tyre është thjesht të sjellit mirë dhe sinqeriteti “Nuk ka ndonjë sekret për historinë tonë të dashurisë dhe as sekret për një martesë të lumtur. Mjafton thjesht të silleni mirë me njëri-tjetrin dhe të tregoheni të sinqertë”, ka thënë bashkëshorti 103-vjeçar.

Me një përkim të çuditshëm, ose si për të vërtetuar atë ligjin e Tërheqjes së Universit, në të njëjtën ditë me lajmin e dy të moshuarve, libri që kam në dorë më sjell ndër mend të njëjtin argument. “As të parët as të fundit”, i sapobotuar nga Shtëpia Botuese Pegi, mes shumë rrëfimeve të pacientëve të psikologes - autore Esther Perel, që tregojnë përvojat e tyre për tradhtinë në epokën e transparencës, flet edhe për ndryshimin e martesave të tanishme me ato të gjyshërve tanë. Dikur bëhej fjalë për një ortakëri strategjike mes dy familjesh, bashkim që siguronte mbijetesën ekonomike dhe riprodhimin. Martesa tradicionale kishte një mandat të qartë, të bazuar në rolet gjinore të përcaktuara mirë dhe në ndarjen e punës, dhe për sa kohë që secili bënte atë që duhej të bënte, ishte një çift i mirë: “ai punon shumë, nuk pi, na siguron të mirat. Ajo gatuan mirë, më ka dhënë fëmijë, e mban shumë mirë shtëpinë”. Pastaj kohët ndryshuan dhe sipas autores së librit: “fillimisht sollëm dashurinë tek martesa. Pastaj sollëm seksin tek dashuria. Dhe pastaj e lidhëm lumturinë martesore me kënaqësinë seksuale. Seksi për riprodhim ia la vendin seksit për dëfrim… Sot jemi të përfshirë në një eksperiment të madh. Për herë të parë e duam seksin me partnerin, jo se na nevojiten gjashtë kalamaj për të punuar në fermë, as ngaqë është një detyrë e caktuar… Pritshmëritë tona për martesën nuk kanë pasur kurrë më parë përmasa kaq epike. Ende duam gjithçka që na jepte famiilja tradicionale: sigurinë, fëmijët, pronën dhe respektin, por tani duam që partneri edhe të na dojë, të na dëshirojë, të jetë i intersuar për ne. Duam të jemi shokët më të ngushtë, njerëzit më të besuar dhe të dashur pasionantë”.

Nuk mjaftohemi dot me “sinqeritet dhe sjellje e mirë”. Zotëria që ka festuar 82-vjetorin e martesës na duket sikur vjen nga një botë tjetër. Sekreti i tij pak ka të bëjë me tonin. Ndaj nuk mund të përfitojmë nga mençuria e tij, ashtu siç nuk mund të përfitojmë dot nga urtësia e gjyshërve tanë, që po të bekoheshin me gjatësinë mbi njëqindvjeçare me siguri do festonin të tillë përvjetorë. Për ta qe e thjeshtë: sinqeritet dhe respekt. Ne besojmë tek dashuria, e kemi Perëndinë e këtij shekulli dhe për hir të saj do vijojmë të digjemi, përvëlohemi, lumturohemi, gremisemi, ringrihemi, rinisim nga e para prapë e prapë. Sepse vetëm këtu nuk nxirren kurrë mësime. Na takon, pra, të gjejmë sekretet e këtij shekulli dhe nëse jemi me fat e jemi gjallë, t’i rrëfejmë ato kur të shkojmë 100 vjeç. Ndërsa nga mençuria e gjysheve të mira, për të përballuar dramat e kësaj botës sonë, na ka mbetur dhe ngushëllimi “që nuk jemi as të parët e as të fundit”, titulli që aq bukur i qëndron librit që vërtet ua rekomandoj për ta lexuar dhe për ta rishfletuar në raste të caktuara. Nuk të ngushëllon! Thjesht të bën të pranosh të vërtetat e tua. E të ecësh përpara, nëse je ende aq romantike sa të besosh se në gjëra të tilla si lidhjet apo martesa duhet edhe dashuria.

http://www.tiranapost.al/te-martuar-prej-82-vitesh-cifti-tregon-receten-e-dashurise-dhe-nuk-eshte-aspak-e-nderlikuar/