• Shqip
  • English
  • E hënë, 20 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Po cili është halli ynë në të vërtetë i dashur Berlin!


    Pikënisjen e këtyre 25 rreshtave e pata në pyetjen e Muhamed Veliut, gazetarit politik në Top Channel, në një intervistë me Edi Ramën, pak orë para takimit me Merkel.

    Zoti Rama a mendoni se po flitet më shumë për Kosovën dhe se kështu po harrohen temat e tjera??? 

    E keni parsysh kur dikush thotë ose bën pikërisht atë që keni ju në stomak? Jo se nuk e kisha vënë re, por kisha filluar të besoj edhe vetë se ky qe i vetmi hall mbarëshqiptar!  Tema e Kosovës ka pushtuar faqe personale në Twitter, në gazeta prestigjioze me statuse nga shumë liderë dhe ish-liderë europianë apo artikullshkrues me peshë në mbulimin e rajonit tonë. Me shumë të drejtë, aspak e pavend. Hapja e temës së shkëmbimit të kufijve ka provokuar jo pak dhe pse jo, po sjell edhe ankth në Ballkanin emocional! Nga ana tjetër duket sikur çdo gjë e kemi kryer më së miri ne shqiptarët këtej dhe andej kufirit shtetëror dhe lepuri fle tek një tjetër kapitull historik, ai i ndryshimit të kufijve.

    Kjo është një temë për të cilën nuk kam tagrin e duhur të jap opinione, por si gazetare më vjen keq që kalojmë në tema kaq të mëdha, kur ne ballafaqohemi me një realitet të mjerë rregullash e normash në vendet tona, Shqipëri e Kosovë! Historia e jetës tonë ditë për ditë është e varfër, e dobët, e pasigurt!

    Nga Shqipëria ( por edhe nga Kosova) po largohen shumë të rinj, shumë infermierë, doktorë, dhe nuk është se gjejnë parajsën atje ku shkojnë sepse përfundojnë doktorë në zona të vështira, por prapë lënë familjet, lënë karrierat, lënë kafen dhe rrugicat e tyre, miqtë; sepse në Shqipëri nuk ndjejnë siguri për të ardhmen. A mund ta kundërshtojmë këtë? Faktet janë kundër çdokujt që thotë se kjo nuk është e vërtetë. Askush nuk ikën me dëshirë nga vendi i tij se si thoshin rilindasit ” balta më e mirë se mjalta apo guri i rëndë peshon më vend të vet”.

    Nëse duam të flasim për edukimin, fëmijët, adoleshentët apo studentët; që nga parashkollorët e deri në universitet, situata nuk është aspak normale. Drejtësia është në një proces (që me qëllimin e mirë) janë mbyllur dhe paralizuar institucione të rëndësishme. Nuk kemi gjykatë Kushtetuese, nuk kemi gjykatë të Lartë, nuk kemi ende kryeprokuroren e mandatuar plotësisht.

    Në politikë, kemi opozitën biologjike në rrugë, dhe një të ‘sajuar’ me procedurë në parlament. Jeta në Tiranë është tmerrësisht e shtrenjtë; nga supermarketet e deri tek restorantet.

    Para dy ditësh një mikeshë tregonte se nga Spar në Vjenë kishte mbushur qeset me 23 euro. Shko tek Conad në Tiranë dhe shiko ç’mund të blesh me këtë shifër. Rroga mesatare është ende në nivel bazik ose mbijetues. Oligarkët vazhdojnë të gllabërojnë gjithnjë e më shumë.

    Pra, në një kohë kur kemi kaq shumë probleme të jetës së përditshme, kur shumë pak mund të kenë siguri për të ardhmen, krejt papritur, një Zot e di sesi përfunduam duke menduar të ndryshojmë harta dhe në vend që të përdoreshin të gjitha energjitë në këto samitet ngushëlluese për të ndryshuar jetën tonë, kalojnë në tema që na e mbajne peng edhe ca më shumë fatin.

    Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për të bërë të jetueshme jetën e atyre aty ku ndodhen sot, ashtu si ndodhen, bashkë me pakicat, bashkë me shumicat, të mërzitur, në dilemë, apo simpatikë.  Ne, para së gjithash, na duhen politikanë që luftojnë për cilësinë e jetës tonë dhe jo të shenjave që duan ata të lënë në histori për t’i kujtuar pas vdekjes. Këtu lindin shumë pyetje, por sidomos të vjen në majë të gjuhës një përgjigje: Është e vështirë, e mundimshme të mendosh për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve të tu, sepse ajo do shumë punë dhe merr shumë pak në këmbim. Shoqëritë gjithmonë ankohen për politikanët edhe në Zelandën e Re, edhe në Norvegji, sepse e mira s’ka fund dhe kështu duke ndryshuar jetë të vogla që për dikë janë vetë bota, nuk futesh në histori. Apo nuk është në modë populizmi sot. Madje të bind që nëse nuk e merr seriozisht i bie të jesh ti idiot.

    /*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]