25 Rreshtat e Mirës

Po bashkëjetesa ku shkoi?!

Mira Kazhani/ Të dielën pashë "The shape of water". Një film, film - që nuk i ngjante asnjë të mëparshmi. Producenti Guillermo del Toro, i cili është edhe skenarist, kish nxjerrë në dritë fiks atë që i mungon sot botës: Bashkëjetesën me të ndryshmen, dashurinë për atë që nuk na ngjan - dhe e kish bërë si një artist i madh - duke zhvendosur ngjarjet në një kohë pa celularë, pa rrjete sociale, pa kisha, xhami, por me një kinema pa këmbë njeriu, një botë e egër, siç është edhe sot.

Filmi i Del Toro-s kishte mesazh në çdo presje dhe fotografi. Ngjarjet duhet të zhvilloheshin në kohën e Kenedit dhe duhet të kishte nisur Lufta e Ftohtë. Por, magjia e filmit ishte Eliza dhe shoqja e saj, Zelda, batutat e kësaj të fundit do t'ju bëjnë të mbani barkun, ndërsa i gjithë filmi i Del Toro-s të trondit gjatë gjithë kohës dhe në fund të jep një ndjenjë lehtësimi, edhe romanticizmi. Filmi është një fantazi romantike mes një vajze që nuk flet dhe një krijese deti, të frikshme në pamje, por që bie në dashuri me Elizën, pastruesen memece, e cila jeton vetëm në një apartament, ku kalon kohë me një artist gay, që prej frustrimit i është dhënë pijes dhe ka vetëm një shoqe, që nuk flet por kupton.

Del Toro ka kërkuar të na vendosë antenat e jetës sonë, e cila pa shpirtin e bashkëjetesës është një luftë - sot, me ndihmën e teknologjisë, rrjeteve sociale, mania për veten bëhet një luftë pa qëllim, me fitore pa lavdi. Ndjenja që kërkon të na përçojë "The shape of water" (Forma e ujit) është pa një pa dy dashuria për njëri-tjetrin. Në fillim s'e kupton pse "The shape of water", por kur ikën mund t'ju ndodhë të mendoni se çdo gjë në jetën tonë, sado përpiqemi t'i japim formë, sado t'i bëjmë rezistencë kuadratit ku e duam jetën ose na e kërkojnë rregullat e shpikura para shekujsh e shekujsh në oborret e ftohta të kishave, nuk ka pse të ketë formë. Sepse jemi si uji ose forma e tij!

Kështu bëjnë artistët e mëdhenj, na mësojnë nga fillimi atë që e kemi pas qëkur ishim primitivë. Duket një film romantik, një fantazi për dashurinë, por brenda në vaskën e Del Toro-s është një thirrje që lëshon flluska: bashkëjeto! Sepse, siç thotë personazhi rrëfyes i tij: Jeta është veçse disfata e planeve tona... 25 Rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al