Aktualitet

Plani për 13 Majin, Basha mbledh aleatët

Tjetër mbledhje në selinë e PD-së me në fokus protestën e paralajmëruar për të shtunën e 13 Majit në Tiranë. Për rreth 1 orë, Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me aleatët e tij, ku u diskutua lidhur me koordinimin e protestës dhe protestuesve.

Po ashtu, nesër në orën 18:00 do të mblidhet sërish grupi parlamentar i PD për të diskutuar mbi organizimin e protestës.

Partia Demokratike njoftoi zhvendosjen e protestës në Tiranë, të shtunën në ‘Bulevardin Dëshmorët e Kombit’ në kryeqytet. Më herët PD kishte njoftuar protestë të dielën e 7 Majit në Kavajë. Por tërheqja e kandidatit të PS nga zgjedhjet e pjesshme vendore në Kavajë, për shkak të skenarit destabilizues të përgatitur nga demokratët, bëri që ata të zhvendosin edhe protestën.

Megjithatë, kjo nuk përjashton faktin se protesta e PD të shtunën, mund të ketë skenare dhune. Kjo është lënë të kuptohet nga eksponentë brenda PD, më së fundmi edhe Sali Berisha i cili paralajmëroi se të shtunën situata mund të dalë jashtë kontrolli. E.C/Tiranapost.al