Ekonomi Te gjitha

Plakja e popullsisë rrezikon rritjen ekonomike


Në vitet ’90 Shqipëria kishte popullsinë më të re në Europë. Sot, plakja dhe emigrimi po rrezikojnë mirëqenien e vendit.

Edhe nëse të gjithë komponentët e tjerë ekonomikë në Shqipëri do të përmirësohen, plakja e popullsisë dhe emigrimi do të vijojnë ta mbajnë rritjen ekonomike nën potencial.

Këtë e thotë Banka e Shqipërisë edhe në raportin e tremujorit të tretë të këtij viti, ku theksohet se edhe për një periudhë të konsiderueshme ekonomia do të mbetet poshtë nivelit të vitit 2009.

Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej.

Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.

Aktualisht mesatarja e lindjes në Shqipëri është 0,8 fëmijë për grua, duke dëshmuar zyrtarisht se vendi është në rrudhje.

Ndërkohë, shumë biznese duhet të kthejnë vëmendjen e tyre drejt shërbimeve që mund t’i ofrohen moshës së tretë, pasi Shqipëria po kthehet në një vend në plakje./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *