• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Sport Të gjitha

    Pioli do fitoren e parë me Milanin, planifikon ndryshime për Spalin


    Debutimi i Stefano Piolit në pankinën e Milanit nuk ishte aspak në lartësinë e pritshmërive, teksa në ndeshjen e parë i shpëtoi fitorja nga duart në minutat shtesë, ndërsa në testin e dytë kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 2-1.

    Megjithatë të enjten në mbrëmje Milani do të presë Spalin në “San Siro”, një skuadër modeste në letër, çka do të thotë se Pioli ka shansin e artë për të festuar para tifozërisë kuqezi, edhe fitoren e tij të parë.

    Por për të shkuar te suksesi, tekniku i kuqezinjve po mendon të bëjë disa ndryshime në formacion, ku nga minuta e parë pritet të luajnë Castillejo, Bennacer, Piatek dhe braziliani Leo Duarte në një rol të ri.

    Në krahun e djathtë të mbrojtjes, Pioli ka provuar si Contin, ashtu edhe Calabrian, por asnjëri nuk ka bindur dhe tekniku ka ndarë mendjen të provojë brazilianin në atë pozicion, me shpresën që eksperimenti do t’i dalë me sukses.

    Sa i përket algjerianit Bennacer, pritet që të luajë në vendin e Lucas Biglias para mbrojtjes, duke qenë se argjentinasi ka luajtur titullar në dy ndeshje me Piolin dhe ka nevojë për pushim, pasi kuqezinjët do të luajnë sërish në fundjavë.

    Tekniku i Milanit po mendon gjithashtu mundësinë për të lënë në stol spanjollin Suso, që jo vetëm nuk është shfaqur në lartësinë e duhur, por tani nuk preferohet as nga tifozët kuqezi, ndaj një ndeshje në stol mund t’i shërbejë për mirë.

    Në vendin e tij pritet të luajë një tjetër spanjoll, Samu Castillejo, që ka dëshirë të fitojë terren dhe të tregojë se vlen. Një tjetër surprizë mund të jetë edhe Piatek nga minuta e parë, me spostimin e Leaos në krahun e majtë të sulmit.

    Formacioni i mundshëm i Milanit ndaj Spalit:
    Donnarumma; Theo, Romagnoli, Musacchio, Duarte; Bennacer, Kessie, Calhanoglu; Leao, Piatek, Castillejo. /XH.K

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post