Aktualitet Te gjitha

Pesë lajmet e ditës deri më tani


Për këdo që i ka humbur lajmet e ditës, Tiranapost bën një përmbledhje me pesë lajmet kryesore deri në orën 13:00.

Pijet energjetike do të trajtohen njëlloj si ato alkooliket për sa i përket konsumimit nga të miturit. Kuvendi do të shqyrtojë një projektligj që propozon ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nga personat nën 18 vjeç. Nisma parashikon edhe penalizimin me gjoba të rënda për të rritur që u ofrojnë pije energjike të miturve.

***

Gjykata ka vendosur arrest me burg për Shpëtim Cekrezin, drejtuesin e pseudo-shoqatës artistike që punësonte vajza për t’i prostituuar në Maqedoni. Sa i përket emrit të shoqatës, Cekrezi deklaroi se nuk e ka përvetësuar, por mori drejtimin pas vdekjes së drejtuesit të parë. 

***

Ka pasur një ndikim pozitiv heqja e vizave nga Shqipëria për kinezët, pasi numri i turistëve është rritur. Heqja e vizave u lejon turistëve kinezë të vizitojnë Shqipërinë nga 1 prilli më 31 tetor 2018 dhe të mund të qëndrojnë deri në 90 ditë në vend, duke sjellë përfitime në aspektin e rritjes së turizmit në vendin tonë.

***

Të paktën një person ka humbur jetën dhe të tjerë raportohen të plagosur pas disa shpërthimeve të dyshuara nga gazi në veri të Boston, Massachusetts. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë ndërkohë që sipas policisë janë dëmtuar dhjetëra shtëpi. Është lëshuar paralajmërimi që njerëzit që jetojnë pranë të largohen menjëherë për shkak se mund të ndodhin shpërthime të tjera. 

***

Së shpejti, në Budapest do të vendoset monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në vendin ku sot ngrihet edhe monumenti i Janosh Huniadit, heroit kombëtar të Hungarisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarin e Bashkisë së Budapestit, István Tarlós, të cilit në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve, i dhuroi edhe “Çelësin e Qytetit”./Tiranapost.al