Sa nje kafe nga Iva

Pesë arsye për të dashuruar pushimet turke

Sapo zhytesh në detin e Jalës apo Dhërmiut gjithmonë të del nga shpirti ajo shprehja “është deti më i mirë në botë”. Por ja që përtej detit, për të pasur pushimet perfekte ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera, që me përjashtim të dy resorteve në Shqipëri (ndoshta ka dhe të tjera, por më mungon informacioni), nuk gjenden gjëkundi. Aq sa çdo fundjavë të shoqërohet me psherëtimën “ç‘ti bëj detit, se këtu nuk do shkelja kurrë”.

Personalisht zgjedh jugun për fundjavat (edhe mesjavë ndonjëherë, kur qëllon që një mikeshë me familjen është në një nga resortet e mësipërme dhe unë bujt, siç vinin dikur miqtë kur iknim në plazh me kabina) dhe pushimet e vërteta dua t’i shijoj si të tilla në një hotel ku jo vetëm që nuk do pendohem asnjë sekondë pse kam shkuar, por që në fund fare do kem keqardhje të dal prej andej (tamam tamam në ndonjë nga dhjetëra të tilla që rekomandojnë agjencitë tona në Antalia, do doja të jetoja përgjithmonë). Ka kaq shumë arsye pse ia vlen, por më poshtë do rreshtoj pesë të tilla, që më bëjnë të harroj që deti është normal fare dhe nuk është aq spektakolar sa Jugu jonë. Në fund të fundit këtu e kemi, mund të zhytemi sa herë të duam.

pamje

  1. Nuk ka Lungomare dhe nerva trafiku

Jugu shqiptar dhe nëse do kishte ndonjë hotel si ata të Antalias (sidomos në raportin cilësi – çmim), është i vështirë për t’u arritur. Gjatësia e rrugës është asgjë në krahasim me acarimin nervor që të shkakton, me autostradën problematike që nuk po lidh ende Fierin me Vlorën në disa pak kilometra të shkreta dhe me makthin që prej dy vjetësh quhet Lungomare e që bën që në kthim vargu i makinave të nisë diku në Orikum e të shtrihet deri brenda në Vlorë. Makinat që nuk respektojnë radhën arrijnë të acarojnë dhe njeriun më të qetë në timon, duke e kthyer rrugën në një betejë disaorëshe me buri, përplasje grushtash në timon dhe sharje shoferësh që mësohen bashkë me makinën… Në të kundërt charter-at për Antalya nisen në mëngjes pa gdhirë, shkon në Rinas për 15 minuta pa trafik, pas një ore e gjysmë fluturim ke mbërritur dhe në orën tetë të mëngjesit, me orën e atjeshme, ulesh të hash mëngjes buzë detit. Nëse do kishe dalë nga shtëpia për Jug, në atë orë do ishe ende duke ngrënë byrekët në Lushnjë…

Në kthim e njëjta gjë: hoteli lihet në darkë vonë dhe pak pas mesnatës je sërish në Rinas.

  1. Nuk ka ç’të duhet portofoli

Ditën e parë të pushimeve ende nuk të besohet: shkon të pish një kafe dhe nuk të duhet portofoli me vete. Pastaj gjatë ditës hap frigoriferët e barit në plazh dhe merr ç‘të duash, pa u kujdesur të hapësh çantën e të marrësh portofolin… Nuk duhet fare nga mëngjesi deri në darkë, për të gjitha ditët e lë në kasafortë në dhomë, vetëm nëse nuk rezervon tur jashtë hotelit.

  1. Ushqimi që të bën të ndihesh në shtëpi

Për njerëzit që pushimet i shijojnë sidomos me qiellzë, nuk ka zgjidhje më të mirë. Si të mos mjaftonin tre vaktet e plota, plus dreka e vonë dhe darka e vonë (nëse ke mundësi, mund t’i hash të dyja drekat, nuk ka asnjë problem), në plazh diku nga ora 11 të shpon hundët era e saçit. Turqit e quajnë gozleme, por është njëlloj si lakrori jonë. Pastaj janë dhe bakllavatë, sheqerparet dhe kadaifët, të gatuar në mënyra nga më të ndryshmet… Sado buzëhollë të jesh për ëmbëlsira gjatë gjithë vitit, atij banaku të mbushur me ëmbëlsira turke nuk i reziston dot.

bakllava

  1. Nuk acarohesh me kamarieret

Si të mos mjaftojë fakti që mund t’i shërbesh vetes gjithë ditës, kamarierët e hoteleve turke e bëjnë punën jashtëzakonisht mirë, edhe pa marrë bakshishet që në Shqipëri ne i lëmë rregullisht edhe pse gjatë gjithë kohës që rrimë të tavolinë e kalojmë duke ia bërë me dorë e duke thirrur “o çuni o çuni” atij kamarierit që ka aftësinë te jetë i hutuar edhe me dy tavolina të vetme me klientë… Edhe nëse nuk di asnjë fjalë anglisht, me kamarierët atje merresh vesh për bukuri: kanë aftësinë të të sjellin në sekondë çdo gjë që ti do.

ivva

  1. Nuk e vret mendjen se ç‘do thonë bota

Nëse je fashioniste, atje je për veten tënde. Sepse askush nuk do të të hedhë sytë të shohë nëse ke kombinuar rrobat e banjës me shallin në kokë apo nëse syzet e diellit i ke të këtij sezoni apo të sezonit të shkuar. Je thjesht për qejfin tënd, për t’u veshur bukur apo shëmtuar, si të ta ketë ënda pa rriskuar të dëgjosh ndonjë koment. Dhe çuditërisht në një superesort, ku mëson se kapaciteti është një mijë vetë dhe ato ditë ka rreth 100 shqiptarë, nuk të dëgjon veshi me përjashtime tepër të rralla ndonjë fjalë shqip… Ka kaq shumë hapësira, sa nuk ka askund radha, as tek ushqimi, as tek rrëshqitëset e fëmijëve. Se si mund të ndihesh i izoluar në një hotel me një mijë njerëz, vetëm këta e dine si bëhet! Pastaj nëse të duhet patjetër mendimi i patriotëve të tu, aty e ke instagramin, mund të ndash gjithçka. Ose të presësh deri në fundjavën tjetër, kur mund t’i kthehesh Jugut tonë, me detin e bukur dhe gjithë hallet e bezditë e turizmit shqiptar.

iiiva