• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kryesore My Tirana Të gjitha

    Përtej politikës, ja pesë fakte për Bulevardin e Ri


    Pasi kanë shtypur së bashku një buton të madh kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë ndezur mbrëmjen e së martës dritat e segmentit të parë të Bulevardit të Ri të Tiranës, duke shfaqur përpara të pranishmëve veprën më të re publike, që ndonëse është ndërtuar plotësisht në vetëm një të tretën e saj, tregon se si do jetë në fund të vitit tjetër kjo pjesë e Tiranës.

    Dhe meqënëse fotot e bulevardit dje dhe sot kanë qenë më të klikuarat në rrjet, për të shuar kureshtjen e të gjithëve, kemi përmbledhur më poshtë disa fakte për Bulevardin e Ri, që ndoshta nuk i keni lexuar, sepse shumica e kronikave kanë qenë të përqendruara tek pjesa politike e fjalimeve.
    Qyteti që shtrihet drejt veriut
    Gati një shekull pas ndërtimit të bulevardit Dëshmorët e Kombit, sot pamja është gati e njëjtë (foto e vjetër bulevardi kryesor i Tiranës gjatë ndërtimit 1939 – 1941): një rrugë që ndërtohet, ndërkohë që anash saj nuk ka qytet. Asokohe vizitorët e huaj dëshmonin për kryeqytetin e ri shqiptar, që po ndërtohej si i vetmi bulevard në botë pa qytet në krah të tij, ndërkohë që bota kishte shumë qytete pa bulevarde.

    foto 1

    Dje mediat pranë opozitës nxituan të thoshin që Bulevardi i Ri nuk të shpie askund, duke harruar të përmendnin vlerën e tij të jashtëzakonshme pikërisht si ndërtimi i parë dhe i vetëm në gjithë këto vite, që synon zgjerimin e qytetit duke ndërtuar më parë rrugën dhe gjithë infrastrukturën e që në vijim do mbushet me ndërtime shtetërore dhe private në të dyja krahët e saj, duke ndërtuar një tjetër Tiranë të Re.

    Bulevardi që ringjalli xhiron
    Ata që kanë jetuar në Tiranën e para’90-ës kujtojnë ende me nostalgji xhiron e madhe që bëhej në bulevard. Në 24 orët e para të hapjes së Bulevardit të Ri me mijëra qytetarë kanë vërshuar aty thjesht për një shëtitje, duke rikujtuar pikërisht xhiron e dikurshme.

    foto 2

    Mendohet që në këtë fazë të parë bulevardi do të shërbejë pikërisht për këtë gjë, si një tjetër hapësirë publike.

    Nën tokë e mbi tokë
    Bashkë më segmetin e parë 450 metër të Bulevardit është përuruar dhe parkimi nëntokësor që shtrihet nën një shesh krejtësisht pedonal e që ka 328 vende parkimi. Për të hyrë dhe për të dalë në parkim janë ndërtuar korsi të dedikuara.

    foto 3

    Ndërkohë në të dyja anët e bulevardit ka korsi biçikletash, trotuarë të gjerë dhe sheshpushime të gjelbëruara.

    Gjelbërim si askund
    Në fazën e parë të sapo hapur, janë mbjellë mbi 300 pemë e më shumë se 250 shkurre dekorative, të cilat tashmë kanë çelur. Në vijim projekti parashikon ndërtimin e një parku në krah të bulevardit me një sipërfaqe rreth katërfish me të madhe se parku Rinia, kurse në fund të 1780 metrave të tij mendohet të ndërtohet një tjetër park i madh, duke e bërë Tiranën kryeqytetin që në jug dhe në Veri do rrethohet me dy parqe të mëdhenj.

    foto 4

    Lidhje me Kamzën?!
    “Deri në fund të vitit që vjen do të kemi përfunduar të gjithë këtë vepër, duke arritur në Lumin e Tiranës, ku Bulevardi do të bashkohet me parkun e Lumit të Tiranës dhe eventualisht me Unazën e Madhe”, ka thënë në fjalën e tij mbrëmë kryebashkiaku Erion Veliaj që gjithsesi nuk ka mundur dhe vetë të saktësojë se si do arrihet kjo, pasi në bregun tjetër të Lumit, pjesë e bashkisë së Kamzës, janë ndërtuar pallate mbi atë që do duhej të ishte një urë lidhëse mes dy bashkive, duke shërbyer ndërkohë si një hyrje-dalje veriore për Tiranën, zgjidhje që pritet të gjendet në vazhdim.

    foto 5