Aktualitet Rajoni Te gjitha

Përtej bindjeve politike! Urimet e para për fitoren e shqiptarëve në Tuz 


Tuzi i pavarur tashmë nga Podgorica do të qeveriset nga shqiptarët me në krye Nik Gjeloshaj. Grupimi i partive Shqiptare “Malësia na Bashkon” rezulton fitues, ndonëse ende nuk është njoftuar finalizimi i numërimit të votave, me rreth 60% të votuesve që morën pjesë, nga 11 mijë e 900, me shqiptarët që përbëjnë 70 të popullsisë.

Mediat shqiptare në Mal të Zi kanë publikuar rezultatet paraprake sipas të cilave:

Forumi Shqiptar ka shënuar një fitore të thellë me 3780 vota

DPS ka marrë 2470 vota

SNP 81 vota

Demokratët 236 vota

SD 356 vota

Boshnjakët 952 vota.

Numri total i votave të numëruara është 7875.

Ndaj fitores historike që shqiptarët e kanë kërkuar prej më shumë se tre dekadash kanë reaguar figura politike dhe jo vetëm, në Shqipëri dhe Kosovë. Ministri i Jashtëm i deleguar, Gent Cakaj ka reaguar përmes një postimi në Twitter, ku uron koalicionin shqiptar për fitoren në komunën Tuz të Malit të Zi.

Cakaj shkruan:  #Tuzi na dha një mësim të vlefshëm se përtej logove, bindjeve politike apo protagonizmit, vetëm të bashkuar mund t’i shërbejmë interesave të shqiptarëve. Urimet më të përzemërta koalicionit “Forumi shqiptar” për rezultatin historik.👐🏻

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Rezultati i zgjedhjeve në Tuz është fitore mbarëshqiptare. Është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijnë shqiptarët kur janë të bashkuar rreth një ideali. Urime Forumit Shqiptar! HTH

Kryeministri Ramush Haradinaj:  Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike! RH

“Sonte Malësia ka fituar! Shqiptarët, të bashkuar si kurrë më parë, kanë votuar koalicionin ”Malësia na bashkon”. Urime të gjithë malësorëve, dhe shqiptarëve kudo!”, shkruan ministri i jashtëm Pacolli në Facebook.

Edhe Fatmir Limaj, ka përcjellë urimet e tij:  “Kjo u konfirmua sonte me fitoren e koalicionit “Malësia na Bashkon”. Rezultatet e para tregojnë për një fitore historike të partive shqiptare në Tuz. Urime Malësisë së Madhe dhe të gjithë shqiptarëve!”./ Tiranapost.al. E.B

Zgjedhjet në Tuz/ Shqiptarët në festë për fitoren historike