Aktualitet

“Persepolis”, historia e një rebelimi

Nga Loreta Berhami / “Persepolis” është një nga veprat e mia të preferuara, e kam lexuar me dhjetëra herë dhe, me raste, i rikthehem për të lexuar këtë apo atë fragment, në kërkim të një emocioni specifik, familjar, për të cilin kam nevojë në një çast të caktuar. Nuk është gjithmonë i njëjti, pasi “Persepolis” është një vepër e ndërlikuar, e plotë. Në të përzihen, në mënyrë të shkëlqyer, historikja me personalen, individualja me universalen. Forma grafike e romanit është një nga shembujt më të këndshëm të një zhanri postmodern, i cili mori zhvillim të madh ndërkombëtarisht: autobiografia nëpërmjet një libri me vizatime.

Për mua personalisht, “Persepolis” është historia e një rebelimi. Marzhana, autorja-personazh, kjo vajzë e vogël pas së cilës nuk mund të mos dashurohem sa herë e takoj, është emblema e këtij rebelimi. Ajo arratiset nga Irani, e shtyrë nga prindërit, për të shpëtuar nga regjimi fetaro-diktatorial dhe zbulon, në tokë të huaj, se sundimet, qofshin ato materiale apo shpirtërore, mund të gjenden kudo. Zbulon se Europa, ky djep i lashtë i qytetërimit dhe demokracisë, e ka shpesh të vështirë të luajë jashtë kornizave. Zbulon se, me gjithë frikën ndaj regjimit, i mungojnë aromat, drita dhe ritmi i kulturës së saj. Kthehet përsëri në Iran, në një përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur individualitetin e saj kundrejt absurditetit konformues. Investon kohë e energji në rebelime të vogla personale, në mbajtjen gjallë të kujtesës, në përqeshjen e vazhdueshme të dogmës politike dhe ekstremizmit fetar.

Imtësisht personal, thellësisht politik dhe tërësisht origjinal, “Persepolis” na tregon se si mund të mbijetojmë, herë duke qeshur e herë duke qarë, përballë absurditetit. Ky roman grafik është një homazh ndaj historisë së njerëzimitnë luftë kundër nëpërkëmbjes dhe vdekjes, është dëshmitar i diçkaje të vërtetë dhe jetëgjatë, që ndikon më shumë sesa qindra transmetime lajmesh.

Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Loreta Berhami, administratore e Shtëpisë Botuese Pegi