• Shqip
  • English
  • E shtunë, 20 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Shëndet Te gjitha

    Përse disa nga ne vuajnë nga ‘ankthi i mëngjesit’ dhe çfarë mund të bëni për ta përballuar atë


    Ora 5 e mëngjesit dhe je ende zgjuar? Mendime që vrapojnë të ndjekin njëra tjetrën kur akoma nuk pate mundësinë për të fikur alarmin? Nëse ju ka ndodhur, nuk jeni vetëm. Edhe pse stresi tanimë është shoqëruesi ynë i përditshëm, nëse ai kthehet në një shqetësim shtypës dhe për punët më të lehta mund të jetë shenja e parë e një probleme edhe më serioz.

    Çfarë është ankthi i mëngjesit?

    Kjo lloj gjendjeje lidhet me zgjimin që në mëngjes me një ndjesi shtypëse dhe shqetësimi në dukje të pashpjegueshëm. Kur përjetoni emocione si stresi i pakontrolluar, një merak apo ngacmim edhe për gjërat më të zakonshme, apo sikur nga momenti në moment diçka problematike do të ndodhë, ka shumë gjasa që të jeni pre e këtij problem shëndetësor. Ky lloj ankthi është mbytës dhe nuk ju lë të qetë të vazhdoni rutinën e ditës suaj si normalisht. Aktivitete të zakonshme siç është vajtja në punë, përgatitja e vakteve, marrëdhëniet me familjarët apo të dashurit tuaj kthehen gati në makthe.

    Si ta kuptoni nëse një sulm ankthi po ju godet në mëngjes?

    Simptomat e ankthit të mëngjesit shpesh herë imitojnë ato të shqetësimeve të përgjithshme me ankthin.
    Nëse po kaloni një atak ankthi sapo zgjoheni mund të jeni duke përjetuar:
    Një ndjesi padurimi, irritimi, një drobitje të trupit dhe mendjes, pamundësi për t’u përqendruar apo sikur dikush t’ju ketë zbrazur mendjen për disa momente. Ka raste që mund të përjetoni edhe një vështirësi për ta përballuar gjithë këtë sulm shqetësimi dhe nervozizmi.
    Po shkaktarët cilët janë?

    Si çdo problem që lidhet me gjendjen e ankthit, edhe ai që ju ndodh në mëngjes vjen si rezultat i akumulimit të tepërt të situatave stresuese dhe shqetësuese që ju kanë ndodhur gjatë ditës së mëparshme.
    Gjithçka lidhet me “hormonin e stresit”, kortizolin, i cili çlirohet nga trupi në përgjigje të emocioneve të frikës apo stresit. Ky hormon është në një nivel shumë të lartë kur ne zgjohemi në mëngjes, kjo mund të shpjegojë arsyen kryesore të përjetimit të ankthit të shtuar në atë orë të ditës.
    Gjithashtu edhe ajo çfarë konsumoni sapo zgjoheni janë të rëndësishme. Kafeina dhe sheqeri mund të nxisin apo edhe të përkeqësojnë simptomat e ankthit. Por edhe niveli i ulët i sheqerit në gjak si pasojë e mungesës së ushqimit mund t’ju shkaktoj kriza të forta të ankthit të mëngjesit.  Nëse shtriheni për të fjetur duke bluar një problem apo situatë në mendje, ka shumë mundësi që të zgjoheni të shqetësuar dhe në ankth për ditën që ju pret.

    Lajmi i mirë: Mund ta trajtoni

    Gjumi është një nga hallkat më të rëndësishme për qetësimin e mendjes dhe i jep kohën organizmit që të rimëkëmbi veten nga ngjarjet e ditës. Ndaj dhe rekomandohen 7-8 orë të plota për t’u çlodhur. Gjithashtu ecjet në natyrë, aktiviteti fizik arrin të ndihmojnë në menaxhimin e ndjesinë mbytëse të ankthit. Ushqimi gjithmonë luan një rol të rëndësishëm prandaj dhe nuk duhet anashkaluar. Kini kujdes që gjatë ditës të konsumoni ushqime të shëndetshme, fruta dhe perime të freskëta, pasi arrini kështu të balanconi hormone që prodhon trupi. E fundit, por jo nga rëndësia, mos e luftoni, por thjesht mundohuni ta limitoni. Jepini mundësi trupit tuaj që të arrijë të reagojë dhe të riparojë dëmet që ataku i ankthit shkakton.

    Edhe pse të gjithë e kanë në majë të gjuhës këshillën “mos u streso”, nuk është dhe aq e lehtë, ama sipas ekspertëve të fushës hapi i parë drejt një trajtimi është të kuptoni faktorët që ju shkaktojnë ‘shpërthimin’ e këtyre sulmeve./ Përkthyer dhe përshtatur për t’u publikuar në Tiranapost.al.