Aktualitet

Përplasen drejtorët e Mapo: Alfred Lela dhe Ervis Iljazaj replikë gjithë ditën sot

Sot debati ose si disave u pëlqen t’i quajnë “sherre” gazetarësh online, ishte ai mes Aflred Lelës, ish drejtor i liberales Mapo sot drejtues i politiko.al dhe Ervis Iljazaj drejtori aktual i Mapo.

Lela: MAPO, vazhdoi e palëkundur mbështetjen për qeverinë, duke mos harruar as diversionet ndaj opozitës, nëpërmjet tezash që janë të Çilit, por shkruhen nga dytësat e tij në gazetë, djem apo burra, që nuk mund të konsiderohen budallenj, por që njohjen e politikës së Tiranës e kanë laboratorike. Kjo (mos)njohje, gërshetuar me tezat e Çilit, të cilat duke qenë se synojnë më shumë të jenë shpore intelektuale se sa argumente editorialesh, prodhojnë atë që shohim përditë në faqet Op Ed të MAPO, një shtërzim mes intelektualizmit të kullës uetase, pragmatizmit tregtar dhe ngutit provokues.

Iliazaj: Nuk mund të rri pa shprehur habinë për nostalgjinë e madhe që paska Alfredi për gazetën MAPO, dhe interesin për linjën e saj editoriale, duke qënë se e ndjek gjithmonë me vëmëndje, ashtu sikurse nënkuptohej nga shkrimi i tij. Jo vetëm kaq, por kohën që ka larg gazetës MAPO, e paska numëruar me ditë dhe me muaj. Megjithatë, nostalgjia është një ndjenjë njërzore, pa të cilën njeriu nuk jeton dot, aq me tëpër, për kujtimet e bukura.

Alfred, ti je i lirë të shkruash dhe mendosh çtë duash, por pa gënjyer!.

Replikat

Henri Çili, mirë se erdhe te linja ime editoriale!

Alfred Lela

Kanë kaluar një vit e tre muaj nga largimi im si drejtor i Medias MAPO. Kjo ‘lëvizje’ që rastisi në kohë me ‘aneksimin’ e Armand Shkullakut si drejtor i ABC News, shkaktoi zhurmën e vet të ligjshme mediatike. Kushti i botuesit për mua pat qenë i qartë: mbrojtje pa rezerva për Ramën, deri te artikulimi, jo vetëm në gazetë, por edhe nëpër studiot televizive, i sloganit ‘Rama, reformator i madh’.

Siç ia kam përsëritur Çilit, edhe publikisht, as unë dhe as ai nuk mund të dilnim, pas tre vjetësh, dhe të quanim reformator Ramën, pasi e kishim përdorur këtë etiketë për Berishën. Edhe nëse nuk i tuteshim ‘pafytyrësisë ideologjike’, duhet t’i shmangeshim ‘rrengut logjik’. Shqipëria nuk është nga ato vende që prodhon reformatorë të mëdhenj, dhe aq më pak dy të tillë në katër vjet.

Berisha ka ikur, Basha nuk është gati, Rama është në pushtet…Kështu vazhdoi refreni i Henrit që, në fund, u përball me një shpinë që u kthye. Kanë kaluar 15 muaj intensivë që atëherë, dhe lumi i akullt i linjës editoriale rrodhi ndërmjet brigjeve tona, si moskuptim dhe karshillëk bashkë. Me vete secili priste triumfin e tezës së tij.

Çili e fitoi betejën, por humbi luftën.

Rama i ‘fshiu’ zgjedhjet duke realizuar edhe plebishitin e heqjes së ‘ferrës’ LSI nga këmbët. Gjithë pompë u fut në Tiranë Kryeministri i rikurorëzuar, duartrokitur edhe nga mbështetësit e tij mediatikë, Çili i mirë me shumë shokë.

MAPO, e botuar prej tij, vazhdoi e palëkundur mbështetjen për qeverinë, duke mos harruar as diversionet ndaj opozitës, nëpërmjet tezash që janë të Çilit, por shkruhen nga dytësat e tij në gazetë, djem apo burra, që nuk mund të konsiderohen budallenj, por që njohjen e politikës së Tiranës e kanë laboratorike. Kjo (mos)njohje, gërshetuar me tezat e Çilit, të cilat duke qenë se synojnë më shumë të jenë shpore intelektuale se sa argumente editorialesh, prodhojnë atë që shohim përditë në faqet Op Ed të MAPO, një shtërzim mes intelektualizmit të kullës uetase, pragmatizmit tregtar dhe ngutit provokues.

Me sa kemi parë dy-tri javët e fundit, ‘çështja Tahiri’ duket se ka qenë mbrojtja e fundit që Edi Rama ka marrë nga skuadroni i MAPO. Krejt ndryshe nga çfarë bëri gazeta për disa muaj varg, në editorialin e numrit të së shtunës, E. Iljazaj, i njëjti që thërriste ‘pafajësi’ më parë, dje artikulonte se ‘çështja Tahiri’ është prova se Prokuroria nuk po vepron politikisht në arrestimet e fundit. Kuptimi i qartë: pa një Tahir të dënuar, prangat për opozitarët e dyshuar për korrupsion përbënin përndjekje politike.

Kjo është teza e rigjetur e MAPO, marrë nga ata pak vetë në median e shkruar, median e re (portale) dhe panelet televizive, që nuk i janë bashkuar korit që i këndon ‘Te deumin’ qeverisë nga mëngjesi në mbrëmje. Një javë para kësaj, gazeta shfaqej e ngrohtë me Bashën dhe opozitën.

Kjo nuk do të thotë se mbërritja me vonesë te e vërteta është në kundrakohë. Siç nuk është i mirëpritur çdokush që i bashkohet qëndrestarëve të paktë të anti-qeveritarizmit.

Çka është më e rëndësishme, kthesa e Çilit, e lexuar qartë në numrat e fundit të MAPO, jep një shenjë tjetër pozitive. Mbështetësit më të zëshëm të Kryeministrit e kanë humbur besimin te politikat e tij ‘reformatore’ dhe po e braktisin.

Nuk është e nevojshmë që Çili të dalë kundër shkrimit të vet, sepse kanë qenë shkrimet që i kanë dalë kundra. Nuk i kërkohet as të bëjë një anti-editorial ku ta dekonstruktojë Ramën si ‘reformator të madh’.

Me betejë të fituar, por luftë të humbur, nuk është në nderin e triumfatorëve që të parashtrojnë kushte të tilla meskine.

Kjo nuk ia pret hovin dëshirës së një urimi me tingëllima cinizmi: Henri Çili, mirë se erdhe te linja ime editoriale!

Replika e Ervis Iliazaj, botuar tek editoriali i Mapo.al

Dy sqarime për Lelën,  të cilit i ka ngelur koka mbrapa te gazeta MAPO

Nga Ervis Iljazaj

Dje, Alfred Lela në portalin e tij POLITIKO, ka shkruar editorialin: “Henri Cili mirë se erdhe te linja ime editorial”. Duke marrë shkas nga editoriali im i numrit të së shtunës të gazetës MAPO me titull: “Arrestimi i kryebashkiakut të Lezhës është aksion i drejtësisë apo i politikës?”, përshëndeste në mënyrë ironike, ndryshimin e linjës editoriale të MAPO-s, nga pro qeveritare në pro opozitare, vetëm për faktin se në këtë artikull une theksoja, se arrestimet e fundit janë vetëm të një krahu politik, dhe, që prokuroria për të na bindur se është e pavarur, duhet që të hetojë dhe pushtetarë të mazhorancës, qëndrim të cilin e kam shprehur dhe rishprehur sa herë që më është dhënë rasti.

Lela kishte shumë kohë që vëshgonte linjën editoriale të gazetës Mapo, dhe kishte dalë në konkluzionin se, gazeta ishte dashamirëse ndaj Lulzim Bashës, duke theksuar , që mbrojtja e Saimir Tahirit ishte shërbimi i fundit që MAPO i bënte qeverisë. Ndër të tjera, shkruante se: E. Iljazaj, i njëjti që thërriste “pafajësi” më parë, dje artikulonte se “çështja Tahiri” është prova për  Prokurorinë për të treguar që nuk po vepron politikisht në arrestimet e fundit.

Në këtë artikull nuk dua të merrem fare me debatin për linjën editoriale të  Gazetës Mapo, që Alfred Lela, me shumë sforco përpiqet të bëj me botuesin e gazetës Henri Cili, sepse asnjë gazetë dhe botues në botë nuk justifikon linjën editoriale, përveçse mundohet ta argumentojë atë me bindjet e saj dhe ashtu siç e mendon në mënyrë të lirë, por me dy pasaktësi që hasa në shkrimin e Lelës, të cilat më bën që të merrja mundimin të përgjigjesha.

Sa për linjën editoriale, shkurtimisht, mendimi i MAPO-s për zgjedhjet e Qershorit ishte ky: Cikli reformist i Ramës duhet të vazhdojë dhe një mandat të dytë, Lulzim Basha nuk ishte gati për të qeverisur Shqipërinë, gjë të cilën e mendon dhe tani, dhe këtë gjë e konfirmoi populli shqiptar me votë. Me sa më kujtohet, nga bisedat e zhvilluara këtë e mendonte dhe Lela, pavarësisht se rreshtimi i qartë me Partinë Demokratike si gazetar i varur, nuk e lejonte ta shprehte publikisht.

Para se të sqaroj këto dy pasaktësi, nuk mund të rri pa shprehur habinë për nostalgjinë e madhe që paska Alfredi për gazetën MAPO, dhe interesin për linjën e saj editoriale, duke qënë se e ndjek gjithmonë me vëmëndje, ashtu sikurse nënkuptohej nga shkrimi i tij. Jo vetëm kaq, por kohën që ka larg gazetës MAPO, e paska numëruar me ditë dhe me muaj. Megjithatë, nostalgjia është një ndjenjë njërzore, pa të cilën njeriu nuk jeton dot, aq me tëpër, për kujtimet e bukura.

Alfred, ti je i lirë të shkruash dhe mendosh çtë duash, por pa gënjyer!.

E para pasaktësi që kishe në shkrimi tënd, ishte fakti se unë paskam thirrur pafajësinë e Saimir Tahirit. Është totalisht e kundërta. Në asnjë artikull, në asnjë emisionin televiziv nuk e kam bërë një gjë të tillë. Përkundrazi, që ditën e parë të lajmit se Saimir Tahiri dilte në përgjimet e Habilajve, kam shprehur publikisht në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, por edhe në tribuna të tjera mediatike, që Tahiri duhet të lërë mandatin e deputetit. Mjafton të hysh në “You Tube” dhe e vërteton fare lehtë një gjë të tillë. Kështu që, është një gënjeshtër e pastër.

E dyta, në shkrimin tënd nuk lije pa përmendur se tezat e editorialeve të gazetës Mapo, të cilat i shkruaj unë për ditë, janë të gjitha të Henri Cilit dhe që shkruhen nga dytësat e tij, duke filluar nga unë e deri te kolegët e mi që shkruajnë komente të përjavshme te kjo gazetë, apo se e njohim politikën në mënyrë laboratorike dhe asgjë më tepër.

Alfred, ti e di fare mirë që unë paguhem për ti mësuar politikën të tjerve, duke qënë se jam pedagog dhe doktor shkencash në shkenca politike.

Nëse dëshiron vërtet ta dish se sa e njoh unë politikën dhe tezat e saj, të ftoj një orë në leksionet e mia, dhe do ta kuptosh që ato që ke dëgjuar ti për politikën deri tani, apo që ke lexuar në mënyrë amatoreske nëpër ndonjë libër janë fare pak, dhe të pamjaftueshme për të komentuar ngjarjet politike.

Kështu që, për tezat politike dhe argumentat e saj, nuk kam nevojë për ndihmën e ndokujt. Përkundrazi, shpesh herë njohuritë e mia politike të kanë shërbyer dhe ty, kur ishe Drejtor i MAPO-s, për të artikuluar editorialet e tua. Prandaj Alfred, ti ngatërron linjën editoriale, të cilën në çdo gazetë në botë e përcakton botuesi, me argumentat dhe tezat politike që e mishërojnë atë.

Por, debati nuk ka përfunduar, teksa Lela i ka kthyer përgjigje Iliazajt edhe me një status në Facebook:

Lela: Avatari i Çilit i ka dhënë një 'përgjigje pa përgjigje' editorialit tim të djeshëm te Politiko. Argumenti që parashtroja merrej me 'ardhjen' e Henrit te linja ime editoriale, ose, le të themi ish-linja jonë, paketë all inclusive, bashkë me Mapon dhe instrumentet e saj, përfshirë edhe avatorin në fjalë.

Kjo kthesë është diçka që duket.

Dhe kjo nuk është 'nostalgji' për Mapon, por veç lexim i asaj që ndodh në mënyrë sociologjike, pra i një fenomeni shoqëror.

Sa për atë që shkruan, se ti më jepje teza për editorialet e mia, futja kot!!! Unë nuk merrja të Çilit që ka teza dhe është inteligjent, jo më të tuat. Sepse, po t'i kisha marrë të Henrit nuk do isha në 'nostalgji', por në nënshtrim.

Sa për huanë e imagjinuar të tezave të tua, më lër të riformatoj dy vargje të Moza Ahmetit: Që ti nuk lexon, kjo është diçka që duket.

Me zoritjen që më shkakton mungesa e modestisë, mund të të kujtoj edhe një shkrim të Profesor Fugës ku maste një largësi mes Zhejit e Lelës dhe "një si ty".

A kam unë nostalgji për Mapon? Po, dhe është legjitime. Sepse, 'ngrehina' e saj, ku ti banon tani, është pjesërisht 'shpikja' ime. Ja, për shembull, rubrikën 'Editoriali i ditës', që ti e mbush me mundim, e ke dhuratë nga unë.

Faqja e parafundit, në numrin e çdo dite, është koncrpti im.

Mapo e së shtunës, me shtojcën që dikur quhej 'Mapo Libra dhe Ide', ndërsa tani 'Mapo Letrare', është gjithashtu koncepti im.

E kush nuk është nostalgjik për krijesën e vet. Edhe derrat e kënaqun, e jo më sokratët e vuajtun!

Nuk më gëzon asfare, megjithatë, fakti që, një të majti si ty, do i duhet, tani e më tej, të shkruajë kundër bindjeve të veta.

Sidoqoftë, mirësevini te linja ime editoriale!

Për ndershmëri intelektuale duhet ta shpallni 'ardhjen' me një editorial të posaçëm ku të parashtroni se pse jeni penduar në mbështetjen që i dhatë Ramës, dhe pse ai nuk është 'reformatori që do të shpëtojë Shqipërinë' siç pretendonit.

Përndryshe, publiku do ta lexojë kthesën tuaj thjesht si prishje interesash.