Aktualitet

Përmbytjet/ Edhe njëherë ju tregojmë zonat ku duhet të keni kujdes

Dje Emergjencat Civile ngritën alarmin se moti i keq, me reshje shiu e dëbore do të përfshinte vendin. Dhe ashtu ka ndodhur. Sot e gjithë Shqipëria është zgjuar me shi e rrebeshe. Edhe njëherë ne po ju sjellim në vëmendje zonat që janë më të rrezikuara për t'u përmbytur, nëse reshjet e shut do të vazhdojnë me këtë intensitet.

Në një njoftim publik, Emergjencat Civile njoftojnë se “moti në të gjithë territorin e vendit gjatë datës 30 Nëntor dhe 4 Dhjetor 2017, do jetë drejt përkeqësimit dhe priten reshje shiu me intensitet mesatar deri dhe me intensitet të lartë, të cilat mund të krijojnë mundësinë e përmbytjeve. Përgjatë këtyre ditëve priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Nga llogaritjet PARAPRAKE këto reshje priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore (Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e  lumenjve Vjosa dhe Seman. Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte. Efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier parashikohet se mund të ndodhin në pjesën e parë të ditës së Shtunë, 2 Dhjetor 2017. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet (Gjirokastër, Berat, Elbasan) përmbytjet  mund të ndodhin përgjatë ditës së Premte, 1 Dhjetor 2017.”

Nëse banoni në këto zona, bëni mirë të shmangni sa më shumë lëvizjet./ Copyright Tiranapost.al