• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Për vajzat që variçet po iu prishin bukurinë e këmbëve


    Pyetja drejtuar doktoreshës: Përshëndetje! Po ju shkruaj për një problem që ka filluar të më shqetësojë shumë. Unë jam 37 vjeçe dhe kam vënë re që në zonën e kofshëve, pak mbi gju, më janë shfaqur disa damarë të hollë por të dendur dhe të errët. As ngjyra e plazhit nuk arrin t’i mbulojë dhe shoh që sa vijnë dhe shtohen. Çfarë më këshilloni ju lutem?

    Nga Dr. Silvana Mishtaku/ Problemi që ju paraqisni lidhet me sistemin venoz të qarkullimit të gjakut. Si pasojë e predispozicionit gjenetik, por edhe e qëndrimit për kohë të gjatë në një pozicion (kryesisht në këmbë, numrit të shtatzënive, etj.), venat e thella të këmbëve pësojnë dëmtime të cilat favorizojnë pellgëzimin e gjakut dhe zgjerimin e venave në sipërfaqe të lëkurës. Pavarësisht se problemi që ju shqetëson juve është estetik, duhet vlerësuar gjendja shëndetësore. Ndaj në radhë të parë këshillohet konsulta dhe ekografia e venave të thella me mjekun angiolog për të evidentuar problemet e sistemit venoz dhe nivelin e dëmtimit e për të përcaktuar planin e duhur të trajtimit në varësi të të dhënave të gjetura. Fatmirësisht në ditët e sotme jo vetëm diagnostikimi i hershëm, por edhe teknologjitë e trajtimet medikamentoze mund të shmangin kirurgjinë klasike të ashtuquajtur “për heqjen e variçeve”. Venat varikoze në varësi të stadit të dëmtimit që paraqesin mund të trajtohen me procedura lazerike, shkumë ose terapi sklerotizuese. Po kështu edhe venat e zgjeruara e të dukshme në sipërfaqe të lëkurës mund të mbyllen me trajtime lazerike e skleroterapi. Suksesi i trajtimit të këtyre të fundit lidhet drejtpërdrejtë me gjendjen e sistemit venoz të brendshëm, ndaj duhet t’i drejtoheni mjekut angiolog ose dermatolog, i cili mund t’ju orientojë për diagnostikimin si dhe trajtimin e shqetësimit tuaj estetik.

    Dr Silvana Mishtaku

    Mjeke dermato-Venereologe

    Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3,

    Email: [email protected]

    Instagram: silvanamishtaku