• Shqip
  • English
  • E enjte, 12 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Në rresht të parë Showbiz Të gjitha TIP top

    Për nuset si Vilma, që u bë nuse veç për ata që donte


    Nga Marçela Lati/ Jo rrallë dëgjoj vajza që thonë “nuk kemi nge për dasëm” dhe këtu nuk nënkuptojnë vetëm shpenzimet për të bërë dasmë. Për disa çifte dasmat me darka të shtruara me nga 200 të ftuar nuk hyjnë fare në planet e tyre. Për një vajzë, meraku më i madh qëndron tek fustani dhe shoqërimi nga babai drejt altarit, sigurisht pa lënë mënjanë rëndësinë që mbart në vetvete momenti i firmosjes së aktit të martesës, firmë që shpesh ndodhte në zyra të zymta të gjendjes civile.

    (Firmosja e aktit të martesës)

    Por e dini që sot kjo mund të ndryshohet dhe të kemi momentet më emocionuese të një dasme në një pasdite të vetme?

    Kur Vilma erdhi të na takonte, kishte vetëm një kërkesë: të gjenim një mënyrë për t’i dhënë glamurin që i takonte ditës së saj të martesës, të cilën përveçse e donte intime, duhet të ishte pa ekzagjerime në kosto. Ajo e adhuronte fustanin e nusërisë dhe nuk donte të hiqte dorë prej tij dhe zytarizimit të lidhjes së saj disavjeçare përveç firmës, duhej t’i shtohej padiskutim dhe fustani.

    Në modelin që do të zgjidhte e gjetëm fjalën shpejt. Dëshirën që kishte pasur dikur për volum e kishim plotësuar tek një nga sfilatat e Geraldinës, ku Vilma sfiloi dhe, sipas saj, i kreu provat gjenerale të nusërimit.

    (Vilma në sfilatën e Geraldina Sposa)

    Për një ceremoni minimaliste, që do të zhvillohej në Tarracën e Bashkisë së Tiranës, edhe fustani duhet të ishte i tillë, të paktën në volum, se në qëndisje ishte i pasur mjaftueshëm. Ajo donte që fustani të kishte bisht, por dhe nuk e donte bishtin. Ndërsa vellon e donte patjetër.
    Për fustanin menduam një bisht të çmontueshëm, që shërbeu për madhështinë e momentit të parakalimit drejt altarit, ku e priste i fejuari i saj së bashku me dëshmitarët dhe kryetarin e Bashkisë së qytetit tonë, i cili do t’i celebronte.

    (Erion Veliaj, dëshmitarët dhe çifti)

    Momenti kur Vilma u shfaq ishte shumë emocionues. Një bukuri që të lë pa frymë ajo e Vilmës, imagjinoni nën petkun e nuses!

    (Vilma në altar)

    Ceremonia zgjat pak dhe më pas kryetari i Bashkisë i drejtoi njerëzit dhe çiftin drejt fotove dhe koktejit si nje wedding planner i vërtetë. (Më duhet ta pranoj që Lali Eri po vazhdoi kështu mund ta bëjë të ndjejë krizë sektori ynë, por për fat ka çifte që mendojnë që ai iu vjedh show-n dhe preferojnë celebrimin nga punonjësit bashkiakë dhe gjithsesi ai vetë nuk ka kohë ta bëjë këtë punë full-time).

    (Dekori)

    Atmosfera ishte e ngrohtë dhe miqësore, dekor i ëmbël, drita të ngrohta dhe një peizazh i bukur vjeshte i qendrës së Tiranës. Kjo pra, mund të jetë një mënyrë e mirë për të bërë dasmë pa shumë harxhime. Kthen në dasmë atë për të cilën dhe shërben vetë festa e dasmës: celebrimin.

    (Foto nga altari)

    Në këtë mënyrë mund të vishesh nuse, të bësh premtimet përpara pak të ftuarve, nën një dekor minimalist. Kështu ke dhe kujtimet e bukura me dekorin e ëndrrave dhe fustanin e ëndrrave. Kërcimet deri në mëngjes në një festë dhe harrohen, ndërsa premtimet me emocion dhe fotografitë e videot e këtij momenti mbeten gjithmonë.

    Jetë të lumtur Vilmës!

    *Ky post është publikuar në Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post