Një grup shqiptarësh u pa në edicionin e sivjetshëm të festivalit të filmit në Kanë, mes tyre edhe Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata, prania e të cilëve u komentua nëpër media si një mashtrim dhe se ata nuk ishin aspak pjesë e festivalit. Dhe ja që vërtet nuk paskan qenë.
Sot gjatë programit të tij, Ermali rezervoi ca momente për veten për të sqaruar gazetarët për arsyen e shfaqjes së tij dhe Elvanës në një prej eventeve më të rëndësishëm kinematografikë ndërkombëtarë.
“Para pak ditësh isha në Festivalin e Kanës për të parë çfarë bëhet andej. Duke qenë se kam dhe një film në duar, ishte rasti më i mirë për të njohur njerëz të kësaj fushe, për të reklamuar dhe për të shitur filmin se për këtë shkohet; është një treg ndërkombëtar ku njerëzit shesin dhe blejnë filma. Mirëpo kur u ktheva pashë që këtu në Shqipërinë time të dashur, vendi ku unë punoj, jetoj, investoj, prodhoj, krijoj, disa gazetarë më kishin kryqëzuar me pretendimin që unë po mashtroj njerëzimin. Shkruanin: ‘Ermali dhe Elvana po shpifin’. Të nderuar gazetarë, dashamirës dhe zemërbardhë, nuk kam pretenduar ndonjëherë që unë isha konkurrent në Festivalin e Kanës sepse po të isha do e kishin marrë vesh të gjithë. Isha thjesht për të shitur filmin dhe mora edhe një biletë për të parë një nga filmat që ishin konkurrent”, tha Mamaqi.
Pasi i sqaroi gjerë e gjatë të gjithë, ishte që ishte Ermali u ndal pak edhe tek ai gati rrëzim gjatë parakalimit në tapetin e kuq të Kanës: "Po, atë rrëzimin e bëra vetë", pranoi Ermali. Komedian, pra!/ Tiranapost.al