Aktualitet

Për mandatin e dytë të Veliajt

Për mandatin e dytë të Veliajt

Nga Leart Kola/ Ka diçka të qartë në mes kësaj rrëmuje. Politika shqiptare është transformuar dhe ky është rezultati në Tiranë i Erion Veliajt, fitorja e të cilit ishte aq e pastër sa askush nuk e dyshonte jo vetëm më 30 Qershor, por as dy vjet përpara asaj date.

Mendimi im personal, është që me një kandidat nga opozita fitorja e maxhorancës në zgjedhjet e Tiranës do ishte dhe më e thellë, por kjo nuk mund të provohet empirikisht e për arsye të “daljes mendsh” të opozitës zyrtare nuk na mbetet gjë tjeter vecse të spekulojmë kur vjen puna tek zgjedhjet.

Ajo mbi të cilën mundet të fillojmë diskutimin ndërkohë që të tjerët janë të zënë me tema të tjera është cila do të jetë Tirana e mandatit të dytë? Unë kam rreshtuar 7 gjërat, që mendoj do jenë sfidat e “Tiranës së re” dhe shpresoj që ky artikull mos jetë sfidues në kuptimin e të vërtetave absolute, por një nisje e një debati për qytetin tonë, jashtë miteve urbane, që ekzistojnë vetëm në studio televizive, por mbi problemet e urbanizimit, që ekzistojnë në terren.

1-Teatri

Dua ta filloj me pikën më të nxehtë të diskutimit dhe pse nuk mendoj, që kjo është pika më e rëndësishme në kuptimin jetësor, por patjetër mbart një simbolikë të madhe. Unë mendoj, që në rrafshin logjik nuk ekziston një debat mbi prishjen apo jo të teatrit sepse ai teatër, që është sot nuk është teatër fare. Mendoj që ekziston në fakt një debat mbi ku duhet të ndërtohet Teatri i ri?

Duke përjashtuar grupin e gatshëm të PD, që vetshpallen artistë në mbrojte të teatrit, ekziston një debat, nëse ndërtimet e reja publike duhen ndërtuar të gjitha në qender e nëse duhet në fakt të ketë një rishpërndarje dhe në periferi për ti dhënë më shumë jetë këtyre zonave. Ide janë hedhur dhe më parë për zhvendosjen e Ministrive në qytete të tjera, sic ndodh në Greqi për shembull, ku një pjesë e ministrive janë në Selanik, thene kjo, debati në vetvete është legjitim, ku të gjithë mund të japin një kontribut kur shtrohet në rrafshin logjik dhe jo në atë të emotivitetit partiak.

Unë edhe pse mendoj, që Tirana e ka mundësinë për të qenë një qytet multicentrik, besoj në të njëjtën kohë, që qendra e saj duhet të ngërtheje brenda vetes institucionet më të rëndesishme, sidomos ato të argëtimit masiv, informimit dhe kulturës.

E para sepse qendra e Tiranes nuk i përket vetëm këtij qyteti, por të gjithë Shqiptarëve si ata, që jetojnë brenda kufijve politik të Shqipërisë dhe atyre, që jetojnë jashtë, kjo sjell që shumica e teatrove, operave muzeve jo vetëm nuk duhet të zhvendosen por duhet të inkurajohen, që të jenë sa më afër qendrës dhe për arsye të patriotizmit nëse doni.

Qendra e Tiranës nuk mund të jetë një hapësirë aliene për qytetarët e saj e të transformohet në një vend ekskluziv vetëm për ata, që jetojnë në qendër, ajo ka nevojë të jetë e hapur, ku njerëzit për një arsye apo tjetrën e frekuentojnë. Kështu periferitë e qytetit evitojnë të transformohen në geto. Kemi rastin e Kamzës një qytet pa qendër, që është simboli i getoizimit shoqëror.

Ne sot vërtet mund të ndërtojmë qendra shërbimesh, të transferojmë institucione, apo të stimulojmë aktivitet argetues në laprakë, kombinat apo kinostudio, por kjo duhet kombinuar me politika që i japin gjithmonë një “sebep” banorëve të këtyre zonave për të frekuentuar qendrën e qytetit.

Teatri i ri, apo cfarëdo ndërtimi publik me karakter artistik masiv është jo vetëm i mirëpritur në qendrën e Tiranës por dhe i domosdoshëm, thënë këtë mendoj, që nisja e shtatorit me jetësimin e këtij projekti është jo vetëm një detyrë urbanistike, por mbi të gjitha patriotike me përmasat e njëjta sic ishte dhe ndertimi sheshit të ri Skenderbe, historinë e të cilit të gjithë e dimë, që nga një hapësirë e debatuar për vite me rradhë sot është një hapësirë e pluri dekoruar nga institucione ndërkombëtare!

2-Pika e dytë, që lind natyrshëm pas së parës është “Kullat & Oligarkët”

Si do të sillet Bashkia në mandatin e dytë me këtë politikë zhvillimore? Për të kuptuar se si Miti i kullave dhe oligarkëve lind në një vend, që nuk ka as kulla (shih Fraknfurt/ Abu Dhabi apo këdo qytet tjetër të zhvilluar) dhe aq me pak oligark (shih Onasis, Abrahamovich etj) duhet të shkojmë në vitin e largët 2000 kur Lubonja u mërzit me ish shokun e tij Rama dhe i’a nxorri inatin te kullat, është banale, por është ekzaktesisht ajo që ka ndodhur.

Ky mit ka 20 vjet, që vjen vërdallë aq shumë në kokën e shqiptarit sa dhe pallatet pesëkatshe mendojnë, që janë kulla dhe tregtarët shqiptarë e mendojne veten oligark, keqkuptim i trishtë për një vend, që me GDP e tij mund të konkurrojë me ekipin e PSG, që është një prej argëtimeve të oligarkëve të vërtetë në këtë Botë.

Megjithatë, kjo mbeti, A.Bushati dhe Shkullaku për të cilët nuk kemi asnjë dëshmi, që jetojnë në malin e Dajtit duke ngrënë gorica për të kundërshtuar teknologjinë, kanë vendosur, që nga momenti, që ata kanë një shtëpi askush tjetër nuk mund të ketë më shtëpi e jo vetëm kaq, por askush nuk mund të punojë më në biznesin e tullave, askush nuk mund të jetë më shofer makinerisht, që ndërtojnë pallate, askush nuk duhet të nise një biznes materialesh elektrike, dyersh, pllakash, ashensorësh etj etj etj.

PO në 20 vjet, si nuk pyeti një analist, sa janë të punësuar në këtë biznes? Kush përfiton? Sa është rritur taksa? Askush nga këta, që sot dalin kundra ndërtimit (debat unik në botë) nuk e adreson atë në terma social-ekonomik, debate është aq absurd sa ka marrë përmasa poetike.

E meqë jemi në terren të absurdit, une propozoj që nëse analistët, që dalin në TV dhe flasin kundra ndërtimit do japin shembullin të parët për refuzimin e teknologjisë dhe do vendosin të udhëheqin një jetë idilike në male pa shtëpi dhe pa makineri të tjera, atëherë PO mund të mos kenë të drejtën ekonomike, por atë morale e kanë. E kemi të detyrueshme ta bejmë këtë diskutim, sepse publiku është helmatisur aq shumë me këto ide revizioniste, sa arkitektë të rinj nxjerrin foto të ndërtesave të reja me quote “RIP QYTETI IM”…

Debila e shkuar debilave, kur nuk e kuptojnë që shoqëria ka harxhuar para, që këta të studionin e të bëheshin profesionistë në zinxhirin prodhues.

Ata, që punojnë për të jetuar, e që bëjnë punë nga punëtori i krahut deri tek manovratorë, inxhinier, ata që punojnë për të marrë kredi, që të kenë një shtëpi, ndryshe nga këta, janë njerëz seriozë, të cilët e meritojnë një debat të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë se ku duhet të zhvillohet qyteti yne, ku duhet të ndërtohet (sepse duhet të ndërtohet në një qytet që vijnë njerëz nga e gjithë Shqipëria e jo vetëm) si do ruhet stabiliteti cmimeve dhe cfarë prodhon për komunitetin taksa e rritur e ndërtimit.

Këto janë debate serioze që duhet dhe me ndihmën e kryetarit të bashkisë të prevalojnë për të cmitizuar një mit të lindur në një studio televizive pse një shok u mërzit me një shok tjetër se meqënesë ai shoku kishte punë nuk rrinte më me kete shokun. Bashkia Tiranë e ka potencialitetin për të nisur një debat të tillë publik dhe për ta futur atë në hullinë e logjikës, mendoj që duhet të jetë një prej prioriteteve të mandatit të dytë.

3-Statusi special për qytetin e Tiranës.

Sot Tirana trajtohet ligjërisht nga qeveria njësoj si gjithë qytetet e tjera në Shqipëri, Tirana statusin special e ka domosdoshmëri, sepse në Tiranë sot jeton një në cdo dy shqiptar e ndodh gjithë jeta ekonomike e vendit. Nuk mundet, që të fshihemi më pas gishtit, Tirana është një qytet-shtet – do thonin në Greqinë e lashtë e si e tillë do duhet të kishte bazën ligjore për të ndërtuar llogjikën e saj ekonomike.

Decentralizimi i nisur me reformën territoriale duhet të thellohet dhe më shumë, ka shumë gjëra të paqarta, zonat rurale dhe menaxhimi i tyre janë një prej tyre. Bashkia e Tiranës, duhet të ketë më shumë kompetenca në menaxhimin e arsimit dhe shendetësisë. Them se një situatë e tillë do i ndihmonte qytetarët e do mund të adresonte problemin më shpejt e mbi të gjitha zgjidhja nuk do ishte një “aferë” ndërinstitucionale por brenda të njëjtit insitutucion. Tirana nuk mund të ketë të njëjtin status si qytetet e tjera, për vete dinamikën e saj, ajo duhet të marrë më shumë përgjegjësi në rrafshin financiar, e në maredhëniet me institucione të mëdha kreditore.

Tirana sot, me rritjen e taskës së ndërtimit me të ardhurat nga parkimet publike e me shumë forma të tjera e ka lehtësuar buxhetin e qeverisë qendrore dhe ka shtuar investimet, një ligj special, do i jepte mundësinë ta conte këtë punë më larg, kjo është një përgjegjësi që Bashkia Tiranë duhet ta marrë e tani, që jemi në fillim të mandatit të dytë edhe si pasojë e rekordeve pozitive në vetmenaxhim të burimeve financiare të mandatit të parë besoj, që ky do ishte hapi tjetër i logjikshëm.

4-Strategji ekonomike dhe punësimi!

Nëse Bashkia kërkon statusin special, do duhet që krahazi kësaj të ketë një strategji të qartë se ku duhet të shkoj ekonomikisht qyteti. Bashkia duhet të ketë planin e saj ekonomik dhe strategjinë e saj të punësimit. Fakti, që sot qeveria dhe bashkia janë e njëjta parti, ka bërë që shpeh herë kur vjen puna tek planifikimi afatgjatë, kjo mbetet detyrë ekskluzive e Qeverisë.

Argumenti i statusit special, vlen dhe për këtë pikë, Bashkia duhet të marrë më shumë përgjegjësi në rritjen e punësimit, e duhet ta bëjë këtë me vetdije të plotë dhe me një plan të detajuar. Nuk mundet, që Bashkia të jetë një lojtar më i vogël së qeveria në këtë fushë për vete faktin, që janë vendimet e saj në zhvillimin e investimeve publike apo dhe në krijimin e hapësirave për ato private, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në punësim.

Mandati parë ishte një kohë e shkurtër dhe në shumicën e tij, shkoj jo vetëm duke bërë ato, që ishin zhbërë nga mandat i vjedhur dhe për pasojë shkatërrimtar i Lulzim Bashës, por dhe duke u përshtatur me një reformë territoriale që e gjeti atë në mandatin e parë e cila kërkonte një rikonceptim total të organikës.

Në mandatin e dytë, është koha e përkryer për të shtruar e ideuar një strategjie të qartë ekonomike dhe punësimi e cila duhet të mbajë brenda kam shpresë unë dhe një koncept politik të majtë të zhvillimit të qytetit e bazuar mbi interesin dhe jo mbi eficencën koorporatiste sic ndodh në shumicën e vendimeve në këto vitet e qeverisjes së PS.

5-Tirana, qyteti që mbron punëtorët!

Tirana është sot një qytet, që ndërtohet, është një kantier i madh e kështu do mbetet për një kohë të gjatë, si pasojë e dinamikave sociale dhe ekonomike, që nuk janë vështirë të parashikohen, kjo do të thotë, që përherë e më shumë punëtorë manual do afrohen drejt zonave urbane, të cilët sot dhe si pasojë e vetvrasjes së sindikatave shqiptare mbeten në mëshirë të fatit të pronarit pa pasur një forum ku do mund të dëgjohet dhe perspektiva e tyre.

Tirana ka treguar në mandatin e parë që është një qytet solidar me të pamundurit, janë ndërtuar Banesat Sociale, Qendrat Sociale, Mencat, Qendra, Shelter për të pa strehët etj. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj është një promotor i jashtëzakonshëm i solidaritet filantropik duke bërë pafund aktivitete ku grupe të ndryshme bëhen bashkë për të ndihmuar njëri-tjetrin, pse mos, në këtë mandat të dytë kjo të shtrihet në një rrafsh më politik, sic mund të ishte krijimi i një këshilli pranë bashkisë me përfaqësues të sygjeruar nga punëtorët.

Ashtu sic sot Bashkia ka këshillin ekonomik, atë të rinisë apo dhe të personave me aftësi ndryshe. Patjeter, nuk është puna e bashkisë të zevendesojë përfaqësimin sindikal, por mendoj, që do ishte një hapësirë e re komunikimi me ata, që janë pjesa më vitale dhe paradoksalisht më e padëgjuar në shoqërinë shqiptare. Unë dua një qytet të majtë e mendoj që nëse e kthejmë punëtorin në qendër të vëmendjes së qytetit do jetë jo vetëm një krenari për qytetin por do e bëj atë një vend më të mirë.

6-Ndërmarrjet publike!

Punëtorët e ndërmarrjeve publike e bënë në fakt qytetin një vend më të mirë për të jetuar, nuk e mohoj jam një tifoz i madh i ndërmarrjeve publike dhe as një optimist si unë, për publiken, nuk do mund ta mendonte katër vjet më pare, që një ide që dukej e groposur para 30 vjetësh do kthehej kaq bukur. Ndërmarrjet, të cilat ishin parkingje private për militantë partie u transformuan duke trasnformuar qytetin.

Pervec ndërmarrjeve të Bashkisë, u pa që dhe ato që u krijuan më pas si Agjensia Parqeve dhe rekreacionit apo ajo e parkimit publik ishin në fakt ato që ja ndryshuan fytyrën Tiranës me punën e tyre të përditshme si milingona, janë këto të cilat ndikojnë në jetën tonë duke përcaktuar cilësinë e saj.

Mendoj, që mandati i dytë do ishte një kohë fantastike për të kaluar në duart e bashkisë disa prej shërbimeve, që sot kryhen nga privatet më shembullon e eco Tirana, mund të fillojmë të mendojmë për një agjensi publike të transportit për shembull që jo vetëm do e bënte atë më eficent por dhe më, eco – friendly, rruga është shtruar miti që privati e bën më mirë, është thyer, publikja sidomos në menaxhimin e qytetit duhet të marrë më shumë pjesë.

7-Çfarë qyteti është Tirana (për mbyllje)

Che Guevara nëse do jetonte në Tiranë do e përkufizonte atë “Si një ndjenjë e bukur që vjen nga sakrifica kolektive” Tirana është qyteti i atyre, që duan të vinë për një jetë më të mirë nga qytete të tjera është e atyre që vinë për të studiuar e mundohen me brryla e me vullnet të bëjnë një vend për veten, është atyre që nuk ja kanë dalë në emigrim, është e atyre, që ja kanë dalë në emigrim e duan që paratë e tyre ti shpenzojnë këtu.

Tirana është qyteti me një million banorë, që të gjithë e njohim njëri – tjetrin. Tirana është qyteti, që dhe pse mbase jo sot, por një ditë do dua të kem nje shtepi aty, për të gjithë bashkëkombasit tanë. Tirana është qyteti që dhe pse faktet ndryshojnë mendjet mbeten të njëjta duke rrotulluar arguementa të njejtë. Tirana është qyteti i iniciativës intelektuale, ekonomike, kulturore artistike.

Tirana është qyteti kur të “gjithë jetojmë në rrugët e Tiranës” e askush në shtëpitë e veta. Tirana është qyteti që i jep disa mundësi të njejtit njeri në të gjithë etapat e jetës së tij, që nuk pyet për moshë apo për dije për të bërë dicka por kërkon vetëm vullnet dhe angazhim.

Çfarë qyteti është Tirana? Kjo është një pyetje që nuk e bejnë vetëm të huajt, por dhe ata që janë resident të hershëm apo të rinj! Tirana është qyteti, që ndryshon me energjinë e banorëve të saj, të cilët shtohen vazhdimisht, cfarë qyteti është Tirana?

Mendoj që kjo është pyetja që në këtë fillim mandati të dytë duhet të bëjmë, si mund të kanalizojmë këtë energji të pashoqe në një qytet tjetër në Europë pa ja humbur origjinalitetin e pasionit që mbart brenda, por duke trasnformuar një situatë kaotike në një mekanizëm, që të gjithë punojnë për një qëllim.

Cfarë qyteti është Tirana është pyetja për të cilën shpresojmë të jemi më të qartë në fund të këtyre katër viteve.