• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Për debatet mbi Carla Brunin


    Nuk shquhem për tip koncertesh, as tapetesh të kuq. Madje, një ditë s’do vijnë më as ftesa, sepse e meritoj të më abandonojnë në këtë drejtim. Mirë është të shkosh tek miqtë, por edhe kali i kuq e ka një huq dhe nuk kemi kohë që të ndryshojmë veten në jetë. Po të kishim dy jetë, edhe!

    Shkak që unë të gjeja dy ftesa për koncertin e Carla Brunit në Butrint, u bë një vajzë adoleshente e mikeshës sime, që i kish kërkuar mamit të shkonin atje. Duke kërkuar dy vende për to, m’u shkrep që bashkë me shoqen time (Anjezën) të shkonim për të parë Carla Brunin. Isha kurioze për të parë nga afër një damë si Carla, sepse nuk të jep aq shumë shanse jeta që të shohësh nga afër njerëzit që i ke parë vetëm në televizor dhe google dhe kam parasysh gruan e një ish-presidenti të Francës. Kështu, e veshur në kuriozitet, u gjenda në Sarandë për ta ndjekur. Ajo hyri në skenën ku veç ndriçimit dhe fonisë (zërit) bukuria i është garantuar nga qielli: yjet që rrinë mbi Butrint, pemët shtatlarta, por veçanërisht mjaftonte Carla si një Francë në dy këmbë aty. Kërcimi i saj i lehtë, mesazhet para çdo kënge, ironia e hollë-e hollë dhe flirtimet me bashkëshortin. Këngët e dedikuara Sarkozy-së ishin një gjë e re, e pajetuar dhe gati e panjohur për ne që relativizojmë çdo gjë, çdokënd dhe kemi ngritur në fron më shumë sesa jetën e bukur, luftën ndaj saj. Do doja që tek Carla Bruni të kishte më shumë shqiptarë të thjeshtë, të kishin mundësi ta ndiqnin atë live, ta dëgjonte edhe nëna ime, edhe komshiu im, sepse nuk të duhej të ishe francez, as italian, as i pasur apo i fortë për ta kuptuar një grua si pendë, e veshur elegante pa xhingla-mingla dhe plot hijeshi e humor, po veçanërisht e orientuar nga dashuria. Ne flasim shumë pak për dashurinë, kemi zbehur reflekset dhe reagimin ndaj të bukurës së jetës, emocioneve, dëshirave, komplimenteve dhe qëllimin e jetës së vetme që kemi: atë për t’i jetuar asaj më të mirën, sepse fundja asnjëri, sido që të jetë, s’do dalë gjallë prej saj!

    Unë, për vete, do ta mbaj mend gjithmonë kështu Carla Brunin, si një grua që të kujtonte se dashuria është ylli i vetëm i universit që jeton në kraharorin e njeriut.

    Në fund, një histori që tregoi Carla para se të prezantonte një këngë me titullin “Love letters”.

    -A ju kujtohet që dikur kishte letër, kishte edhe stilolpas? Ne nuk e mbajmë mend, por dikur shkruheshin letra. Pastaj letra futej në një gjë që quhej zarf dhe shkonte në postë për t’ia dërguar njeriut që doje. Kur vinte letra, e hapje ngadalë. Kishte raste që edhe e puthje zarfin (dhe ajo e shoqëron me një puthje të lehtë tek mikrofoni). Kështu ishin dikur letrat e dashurisë. Tani puthim screen-in…

    Dhe me këtë ironi për teknologjinë, Carla nisi të këndonte një këngë dashurie, disa këngë për dashurinë.

    Do thoni ju që dashurinë mes nesh s’e solli Carla apo se nuk e sjell dot Carla. Dhe këtu keni të drejtë. Është pak me gen dhe mbase jo të gjithë pjesëmarrësit mendojnë si unë, por do betohesha se kushdo që do ta kishte parë nga afër Carla Brunin do kish ndjerë një pështjellim të vogël në bark, në duar, në tru, për mënyrën sesi e shpërdorojmë të vetmen jetë që kemi. Por ngaqë s’kemi dy, ndoshta e kemi të pamundur të ndryshojmë dhe unë s’di as vetë kur do kem mendjen e mbarë të shkoj në një ngjarje ku të frymëzohem apo të zbres me këmbë në tokë ose jetë. Salut!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]