• Shqip
  • English
  • E hënë, 16 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda Të gjitha TIP top

    Për cilin zotëri me qen flet Kristi nga Kashari


    Diçka ka ndryshuar. Është e kotë të shtirem sikur nuk ka asgjë të re. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për rrjedhën e ngjarjeve, por për rrjedhën e mendimeve, për rrjedhën e asaj që jam në ndryshim nga ajo që isha, dhe nga ajo që do të jem.

    Nëse fjalët do të kishin fytyra, nuk do të ngrinit pikëpyetje për të kuptuar gjendjen në të cilën jemi. Jam e shqetësuar. Më shqetëson natyra jonë si shoqëri, karakteristikat tona si njerëz më vete dhe reagimet e veçuara që mbrojnë interesa të ngushta të lidhura me përfitime të vogla personale.

    Zhurma ime më bëri të kuptoj heshtjen tuaj. Dhe jeta ime e përditshme, e çdo dite të vogël pa ngjarje të mëdha, më bëri të bie dakord me një teori të vjetër « Ky popull është shumë i vogël për revolucione të mëdha. »

    Duke diskutuar me një mik, më thotë për të më bindur : «Shqetësimi i diellit nuk është se kë po ndriçon, as sa po ngroh. Të gjitha vijnë prej faktit që ai është, ai që është ; i natyrshëm, spontan, pushton pa sunduar ! »

    Kjo ndodh edhe me të vërtetën. Çdo gjë tjetër që bërtet është e gënjeshtërt.

    MOS E VRIT SHPRESËN,- është mësimi më i rëndësishëm që shqiptarët nuk e mësuan kurrë. Përkundrazi. E dini atë historinë me një zotëri që kishte një qen dhe e mbante të lidhur në zinxhir.

    Zotëria donte t’i mësonte besnikërinë. Qeni angullinte, hahej me zinxhirët, shfrynte, luftonte, por nuk u shpëtonte dot zinxhirëve të mallkuar. E kjo vazhdoi për vite e vite me radhë. Derisa një ditë, zotëria i bindur se qeni e kishte mësuar mësimin, ia hoqi zinxhirin. Dhe qeni nuk iku.

    Zotëria, që vetëm zotëri nuk ishte, nuk i kishte mësuar besnikërinë, por i kishte vrarë shpresën. Qeni ishte dorëzuar.

    Në dilemat e jetës gjithmonë (si edhe në këtë rast) kam zgjedhur të jem e lirë, ti zgjidh hallkat e zinxhirëve me dëshirën për më mirë. Sepse frika dhe nënshtrimi nuk na bëjnë më të mirë. Ato gjenerojnë vetëm dhimbje dhe urrejtje. Një shoqëri e nënshtruar nuk mund të jetë kurrsesi pozitive.

    Ndaj unë e mirëkuptoj turmën, sepse ajo nuk e ka një bosht, por vetëm shfryn e vjell vrerin që i kanë injektuar. Por unë refuzoj të jem pjesë e kësaj turme të çmendur, të paformuar e të painformuar, që e udhëheq padija dhe jo dija. Ndaj edhe këtë herë, u largova nga puna. Dhashë dorëheqjen sepse refuzoj të jem një qen që duan t’a mbajnë në zinxhir. Ashtu siç bëra herën e parë, kur punoja shitëse në një dyqan.

    Pronarja ditët e mia të gjata të punës prej 12 orësh në gushtin e nxehtë i pagoi me vetëm 10000 lekë të reja. Kështu ndodh gjithmonë, me të gjithë. Flasim për të tjera rregulla e me tê tjera rregulla e luajmë lojën. Zot, më jep gjithmonë forcë e kurajo të mos jem pjesë e lojërave të pista. Unë besoj se ne nuk i detyrohemi askujt asgjë. Puna është e shenjtë dhe ajo është djersa jonë.

    Një njeri i fortë, i aftë, punëtor…nuk duhet të ketë asnjëherë frikë të kërkojë të drejtën e tij. Duhet të flasim. Vetëm e vërteta do na nxjerrë në dritë. Unë nuk e di ç’do ndodhë me ne, por do doja të mendonim pak më shumë. Pak më gjatë. Cili është qëllimi yt ? Pyete veten.

    Tani vetëm kënga “Cry,cry’ e Mazzy Star më qetëson.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690