• Shqip
  • English
  • E martë, 12 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Të gjitha

    Për ata që e kanë sport të gjuajnë e shajnë online historia e ka shpjegimin dhe një ndërhyrje për nënën serbe të Skënderbeut të Muç Nanos


    Nga Diana Çuli*

    Linçimet mediatike mund të na kthehen në boomerang kundër vetë lirive themelore

    Këto kohë jam menduar për lirinë e opinionit dhe për historinë e saj të mundimshme. Origjina e këtij koncepti lirie ka filluar shumë vonë, në Mesjetë, në siècle de Lumière, si një kundërvënie e abuzimeve të autoritetit të Kishës Katolike gjatë Inkuizicionit. Tek vepra e tij Encyclopédie, Alambert-i shkruante: Një gjykatë të cilën nuk e urdhëron besimi të besojë, as zemërgjerësia të pranojë, dënon një astronom të famshëm dhe e shpall heretik sepse ai këmbëngul që Toka lëviz. (…) Në këtë mënyrë abuzimi i këtij autoritetit shpirtëror të krijuar përkohësisht e detyron arsyen të heshtë; ndoshta  një ditë do t’i ndalojë qëniet njerëzore edhe të mendojnë”.

    Britanikët e vendosën lirinë e fjalës në nenin 8 të deklaratës së tyre të të drejtave në vitin 1689. Francezët e vulosën në 26 gusht 1789 me Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit ; SHBA nuk mungoi dhe në 25 shtator po të vitit 1789 liria e fjalës ishte amendamenti i parë i kushtetutës amerikane ( pjesë e bill of rights që u ratifikua në 15 dhjetor 1791) Më pas janë Kartat, Konventat dhe Deklaratat e njohura të OKB-së dhe të EU-së të cilat i njohim e i dimë përmendësh.

    Përse ky shikim në histori ? Thjesht për të përsëritur sa e vështirë  është liria dhe shfaqjet e saj?

    Sepse, mjafton të hapim kompjuterin  në mëngjes, vetëm 10-15 minuta, të nderuar lexues, t’i hedhim një sy gazetave, portaleve, blogjeve dhe Facebook-ut, për të kuptuar se liria e fjalës, liria e opinionit, e mendimit, sot dhunohet nga një autoritet i ri dhe krejt i ndryshëm nga ai i gjykatës që e hipi Galileun në turrën e druve, vetëm pse tha që Toka lëviz.  Nuk të djeg më njeri në turrën e druve, as të burgos dhe as të zhduk nga faqja e dheut. Sot, jo vetëm gazetarët që punojnë në gazeta, por kushdo, nga më i vogli te më plaku, nga më i varfëri te më i pasuri, nga banori i një shteti demokratik e deri te ai i një diktature, ka mundësinë të ketë hapësirën e tij publike: telefonin, facebook-un, Instagramin e gjithfarë teknologjish të tjera në zhvillim e sipër.

    I mendova këto duke parë sulmin e radhës ndaj Mustafa Nanos – dhe më gërryen dyshimi se shumica e sulmuesve nuk e kanë lexuar librin për të cilin e anatemojnë. E zëmë se nëna e Gjergj Kastriotit nuk ka qenë serbe. Ose se na del në ndonjë dokument kokëfortë që ka qenë. Po pastaj? Çfarë pune i prish famës, madhështisë, jetës dhe veprës së Skënderbeut kjo gjë? Po të marrim mundimin e të lexojmë librin, shohim se autori nuk e shtron çështjen nëse ka rëndësi origjina e njerëzve në atë kohë. Ai shpalos opinionin e tij – të bazuar në shumë lexime e studime të historisë dhe historianëve që u referohet (e që janë të panumërt) se në atë periudhë kohore kombësia nuk kishte rëndësinë që ka sot. Se marrëdhëniet që kemi patur dhe kemi gjatë këtij shekulli me fqinjët, pesë shekuj më parë e më vonë nuk kanë qenë të tilla dhe i analizon, gjithnjë sipas opinionit të tij, duke u përpjekur të jetë sa më objektiv edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj fqinjëve.

    Ky ishte leximi që i bëra unë këtij libri, po dhe i shumë njerëzve të tjerë me të cilët kam shkëmbyer mendime, por që nuk shkruajnë në gazeta apo rjete sociale. Dhe, nga ana tjetër, çfarë të keqe ka nëse shikojmë me sy të ftohtë historinë tonë, veten tonë, marrëdhëniet tona me të tjerët?

    Padyshim, edhe ata që e mendojnë ndryshe kanë të drejtë të shprehin opinionet e tyre. Ta kundërshtojnë Nanon, të hedhin teori të tjera, të mbështetura ndoshta në të tjerë autorë (siç bën A. Shkreli, përshembull), ta shohin me pikëvështrime të tjera që mund të pasurojnë këtë thellim në historinë tonë të të dëshirë të hulumtojnë e të hedhin dritë mbi historinë. Për të kuptuar më mirë të tashmen tonë dhe të gjemë përgjigje për pyetjen e shpeshtë që i bëjmë vetes : përse jemi kështu, ne shqiptarët ?  Për të mirë apo për të keq, apo thjesht për kërshëri.

    Por, nisur nga ky lloj sulmi, që të habit për egërsinë, nxitimin, përbetimin për shqiptarizmën e paprekur – sikur të jetë kjo cilësi vetëm e atyre që sulmojnë dhe jo e të tjerëve  – lind pyetja tjetër : mos i ngjan  linçimit mediatik kjo metodë, e cila, për t’u shkëputur nga rasti i M. Nanos, përdoret paprerë kundër kujtdo, opinionet e të cilit nuk përkojnë me opinionet e disave ?  Dhe këta disa, që mund të jenë të paktë në numër, po shumë aktivë në FB – që kopjohen pastaj nga gazeta – krijojnë opinion, i cili shpejt shndërrohet në opinion publik. Përherë e më shumë ky debat mbi kontradiktën që po vërehet midis të drejtës së qytetarit për të shprehur apo shkruar opinionet e tij dhe linçimit publik në media e rjetet sociale, ka përfshirë edhe vendet e tjera. Në Francë, vetëm muajt e fundit, është « masakruar » – sipas vetë mediave franceze,  filozofi Bernard Henry-Levi për mendimet e shkruara në veprën e tij të sapobotuar. Madje dhe pa e lexuar veprën. Dhe, gazetarë e intelektualë të ndryshëm po shqetësohen për këtë fenomen të ri, të shpërthimit të një psikologjie kolektive, e cila masakron persona të ndryshëm nisur nga një frazë, apo nga një gur që hedh dikush i pari, pa u menduar për pasojat që kjo mund të ketë për vlerat shoqërore, vlerat e debatit, të lirisë së fjalës dhe të qytetarit. E gjithë kjo mënyrë e pasqyrimit edhe në gazeta e çdo « fakti » apo mendimi të paverifikuar apo të pavërtetë që shkruan dikush në FB manipulon oipinionin publik dhe i fryn të pavërtetës. Dhe, fakti i vërtetë nuk ka më rëndësi , por vetëm bindjet emocionale të çastit. Mund të thërrasim njëmijë herë që në filan libër nuk është sharë Skënderbeu, askush nuk do të dëgjojë, as do të lexojë me qetësi dhe durim qoftë edhe dhjetë faqet e librit që lidhen me këtë çështje. Një gazetar italian, që po merrej me « çështjen Insinna » – prezentator italian, i cili ra pre e  linçimit mediatik, siç po quhet kjo dukuri në të gjitha mediat e botës, shkruante se e gjithë kjo mënyrë e papërmbajtur e njerëzve që i sulen dikujt, do të na kthehet shumë shpejt në boomerang të lirive tona themelore.

    Duke iu rikthyer shoqërisë sonë dhe këtij sporti të ri për të « gjuajtur » sidomos këdo që nuk shprehet 200 përqind në favor të karakteristikave vetëm pozitive të shqiptarëve, mendoj se pak qetësi e pak përmbajtje do të na bënte mirë. Pak objektivitet, pak respekt për atë që është lodhur e rropatur të kuptojë, pavarësisht se e ka kuptuar ndryshe nga disa të tjerë. Pak respekt edhe për dinjitetin e njeriut në përgjithësi, për urtësinë e maturinë.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post