• Shqip
  • English
  • E premte, 6 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    Pengu, kauza e kapur, ne të tjerët


    Këto ditë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) nënshkroi një marrëveshje me “opozitën e bashkuar”, të përfaqësuar nga kryetari i PD-së, Lulëzim Basha.

    Tekstin e marrëveshjes – më të plotin që kam gjetur – mund ta lexoni këtu.

    Në këtë dokument, të cilën e kanë quajtur herë-herë edhe “kontratë” edhe “deklaratë”, me synimin “për ndërmarrjen e një zotimi të përbashkët publik”, dhe ku palët identifikohen si (1) “ne, qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” dhe (2) “Partia Demokratike e Shqipërisë”, AMT-ja shpreh vendosmërinë “për të vijuar pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor në të cilin funksionojnë dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental”, ndërsa PD-ja merr një varg zotimesh në lidhje me çfarë do të bëjë, “pasi të jetë shumicë politike qeverisëse”.

    Nga pikëpamja formale, teksti i marrëveshjes më duket problematik: ndryshe nga zotimet e PD-së, që janë specifike edhe pse të kushtëzuara fuqishëm, ato të AMT-së janë të përgjithshme dhe, në çdo rast, nuk kanë lidhje me PD-në si palë.

    Veç kësaj, AMT-ja e ka nënshkruar marrëveshjen si “ne qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, çfarë më duket e pasaktë; jam i bindur se ka shumë qytetarë dhe artistë, të angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë rezerva të mëdha, për këtë akt politik të AMT-së, në mos janë kundër saj.

    Partia Demokratike mund ta kish bërë publik këtë dokument dhe ta kish shprehur hapur solidaritetin e saj me përpjekjet e AMT-së për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar nga prishja, pa i dhënë dokumentit formën e një marrëveshjeje.

    Ndodhi kështu, besoj unë, ngaqë për këtë marrëveshje është PD-ja që ka nevojë të madhe, madje duke përfituar drejtpërdrejt prej saj. AMT-ja përfiton diçka nga pikëpamja organizative – p.sh. në qoftë se PD-ja sjell në protestë militantët e saj (muscle), të cilët do të angazhohen me kërkesë të partisë së tyre, por jo sepse u dhemb detyrimisht për Teatrin; por jo nga politikat dhe programet kulturore të PD-së, përgjithësisht të paspikatura, jo rrallë mediokre ose të fundosura në baltrat e nevojave politike të momentit.

    Përndryshe AMT-ja del e humbur nga kjo marrëveshje. Ndërtesën e Teatrit Kombëtar mund ta prishin në çdo moment; ndërsa PD-ja nuk mund ta pengojë këtë efektivisht, sa kohë që jo vetëm nuk ka pushtet as qendror as lokal, por edhe është larguar nga strukturat përfaqësuese, me vendimin e vet. Kur të vijë PD-ja në pushtet, kur të vijë PD-ja në pushtet (if), gjasat janë që çështja e Teatrit të ketë marrë ndërkohë zgjidhje.

    Përpjekjet shpesh heroike të qytetarëve të tubuar rreth AMT-së kanë ngjallur simpati të madhe në Tiranë dhe në Shqipëri – si një protestë jo-partiake, në mos jashtë-partiake, kundër arrogancës, bullizmit dhe arbitraritetit të qeverisë Rama dhe të kryebashkiakut Veliaj. Veprimtarët e AMT-së kanë arritur të artikulojnë, për publikun, jo vetëm që ndërtesa e Teatrit Kombëtar ka vlera historike, kulturore, identitare dhe qytetare prandaj duhet ruajtur dhe restauruar; por edhe që vendimi për prishjen e saj lidhet me një projekt të biznesit të ndërtimit, që synon të përfitojë nga trualli i klasit të parë në qendër të Tiranës. Shumë qytetarë që e kanë vështruar me skepticizëm në mos me neveri luftën për pushtet mes PS-së, PD-së dhe LSI-së, kanë parë tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit një model të revoltës dhe të protestës të frymëzuar nga qëllime fisnike, moralisht të larta dhe madje vetë-mohuese.

    Sa do të mund të vazhdojë kjo, tani që PD-ja e bëri të vetën protestën, nëpërmjet një marrëveshjeje formale, të nënshkruar nga protagonistët e betejave të deritashme për mbrojtjen e Teatrit?

    Bindja ime është se, duke e përvetësuar këtë protestë (highjacking), PD-ja thjesht bleu me çmim shumë. /Tiranapost.al/

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post