Aktualitet

Pedagog apo politikan? Ja kush ndikoi të ardhmen e Ilir Metës

Në rrëfimin e tij në Top Story, mes aktualitetit dhe nostalgjisë, Ilir Meta ka treguar edhe fillimet e tij në politikë. Atëherë ai nuk donte të bëhej pjesë e parlamentit, por dëshironte të largohej jashtë vendit për të studiuar e për t’u bërë pedagog.

Ja si i kujton Meta dilemat e vitit 1992 dhe këshillën e Spiro Dedes.

“Unë nuk doja të kandidoja për deputet në vitin 1992. Kisha dëshirë të bëhesha pedagog, ndaj dëshiroja të ikja jashtë vendit për studime. Por ato ditë takova Spiro Deden, një ndër figurat më të shquara të Partisë Socialiste në atë kohë. I thashë se çfarë kisha në mendje dhe më tha:

-Të të bëj një pyetje: Çfarë do të bëhesh ti, politikan apo pedagog?

-Unë dua të bëhem pedagog, i thashë, edhe politika mirë, por atë kam prioritet.

-Bëj si të duash, por po ike jashtë do të humbasësh mundësinë për t’i mësuar këtu ato gjëra që mëson në politikë, pasi janë vite të vështira dhe nuk i fiton dot në një periudhë normale.

Nga Spiro Dede, më kujtohet gjithmonë kjo porosi. Madje ka qenë politikë shumë vështirë, shumë e pashpirt, shumë mizore, shumë e pabesë por nëse jam këtu ku jam është rezultat i asaj që unë jam përpjekur të kem qëllime të mira pavarësisht gabimeve dhe nuk mund të thotë askush në Shqipëri që e kam gënjyer për diçka. Po nuk pe përpara në politikë, do të mbetesh peng i kaluarës, i sherreve, i inateve.”