Politikë

PD kërkon dorëheqjen e Kajmakut

PD kërkon dorëheqjen e Kajmakut

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut, i akuzuar nga selia blu për falsifikim parash.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, u shpreh se “Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht në Bashkinë e Vorës”.

Salijani i drejtohet kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të reaguar për rastin e Kajmakut, që sipas PD-së duhet të vendoset para drejtësisë.

Deklarata e PD vjen pas publikimit të dy provave, të dhënat e sistemit TIMS dhe fotove të pasaportave, sipas PD-së tregohen se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto në 2003-shin.

PD akuzon prej disa ditësh Agim Kajmakun, i cili kishte ndryshuar emrin në Greqi si Jorgo Toto, ishte arrestuar në 2003-shin për falsifikim parash, që i kishte përdorur për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera. PD ka deklaruar se krimi i kryer nga Agim Kajmaku, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim, por ai i shpëtoi drejtësisë.

Pjesë nga deklarata e PD-së:

Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit.

Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë. As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia.

Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncensione.

Edi Rama nuk guxon të thotë asnjë fjalë, sepse Jorgo Kajmaku është simboli i projektit te tij per qeverisjen  me krimin dhe për krimin.

Hesht tashmë edhe vetë Kajmaku, sepse nuk e fsheh dot më krimin e Jorgo Totos, krim për të cilin duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Në fakt ai duhet të ishte i pandehur bashke me Valdrin Pjetrin, por prokuroria e kapur për fyti nga Edi Rama nuk zbaton ligjin.

Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS.

Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit.

Edi Rama duhet te mbaje përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre.

Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht në bashkinë e Vorës.

Edi Rama, hesht për Kajmakun e radhës sepse ashtu si çdo organizatë kriminale, edhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes, zbaton kodin mafioz të heshtjes, “omerta”.

Omerta për të gjithë kriminelët me të cilët ai erdhi dhe mbron pushtetin./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/pd-publikon-nje-tjeter-prove-per-agim-kajmakun-dokument-nga-sistemi-tims/

http://www.tiranapost.al/kajmaku-publikon-vulen-greke-ne-pasaporte-me-nje-status-prej-publicisti/