Aktualitet

PD e akuzon, Spiropali: Padia e vetmja rrugë me horrllëkun politik

PD e akuzon, Spiropali: Padia e vetmja rrugë me horrllëkun politik

PD ka akuzuar ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali se ka marrë nga fondet publike 550 milionë lekë. Në një deklaratë për mediat deputetja e PD Jorida Tabaku akuzoi se në skemën korruptive është përfshirë direkt vëllai, bashkëshorti dhe vetë Elisa Spiropali.

Pas akuzave të PD, ministrja ka reaguar përmes një statusi në mediat sociale. Ministrja njofton se ka bërë një padi për shpifje ndaj PD dhe se paratë që do të fitojë nga gjyqi do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës.

“E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me boje. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës”, shkruan Spiropali/Tiranapost/A.C