Aktualitet

Patozi: Lulzim Basha më gjeti në PD dhe aty do të më lërë kur të ikë

Patozi është treguar i kujdesshëm të sqarojë se dita e fundit e këtij Kuvendi nuk është dita e fundit e tij në politikë. Ai vazhdon të flasë për atë që ai e quan legjendë, të një pakti bashkë-qeverisës PD-PS duke e paralajmëruar kreun e demokratëve Lulzim Basha, se nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë kjo do t’i sjellë atij pasoja të rënda në politikë.

Deputeti demokrat Astrit Patozi, edhe pse i lënë jashtë nga listat Basha, ishte sot në Kuvend, në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të shtune.

Patozi është treguar i kujdesshëm të sqarojë se dita e fundit e këtij Kuvendi nuk është dita e fundit e tij në politikë.

Deputeti tha se e sheh me shqetësim, përçmimin që po i bëhet PD-së në këtë fushatë elektorale, duke nisur nga simbolet e deri tek Kryetari Basha. Sipas Patozit, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që PD të mos merret seriozisht nga kundërshtarët politikë.

Ai vazhdon të flasë për atë që ai e quan legjendë, të një pakti bashkë-qeverisës PD-PS duke e paralajmëruar kreun e demokratëve Lulzim Basha, se nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë kjo do t’i sjellë atij pasoja të rënda në politikë.

“Kush mendon se marrëdhënia ime me PD varet nga humori i Lulzim Bashës e ka gabim, sepse Lulzim Basha më ka gjetur aty dhe do më lërë aty kur do largohet. Në fushatë jam pak më modest se herët e tjera për shkak të zgjedhjes së zotit Basha. Unë respektova Kuvendin dhe do ta bëj deri në ditën e fundit të mandatit. Forca jonë politike nuk merret seriozisht nga kundërshtari, është një fushatë ku kundërshtarët përçmojnë PD-në, duke filluar nga simboli, kryetari dhe kandidatët. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe ndihem i keqardhur për këtë. Problemi kryesor sipas meje i PD në këtë fushatë është fakti që qarkullon një legjendë që nuk po fashitet sipas të cilës pas zgjedhjeve do të ketë një koalicion PS-PD. Por nëse javët e ardhshme  nuk do të ndahet PD nga kjo legjendë ka pasoja të rënda me përgjegjës vetë Bashën. Nëse ka një marrëveshje të fshehur mes kryetarit të PD dhe PS atëherë ata nuk e kanë problem që të bëjnë edhe marrëveshje të tjera.” theksoi në fjalën e tij Patozi     E.C/ Copyright Tiranapost.al