Aktualitet

Pasdite të freskëta? Vish një palë pantallona poshtë fustanit

Se do vinte një ditë e pantallonat poshtë fustanit, që ua kemi parë dikur grave kooperativiste kur punonin në fushë, do ishin në modë, as që e kishim menduar ndonjëherë. Por në ka fjalë që i përshtatet modës më shumë është “kurrë mos thuaj kurrë”. Jo vetëm që pantallonat vishen sipër fustanit, po janë një trend që po i josh të gjitha vajzat. Kuptohet ato më të guximshmet, që me tendencat bëjnë paqe që në fillim dhe janë të parat që na stërvisin sytë. Dhe sa mirë që bëjnë.

Duke i parë ato sa bukur duken, të vjen dëshira vetë të zgjedhësh fustanin që do t’i shkonin një palë pantallona poshtë. Për të mos ju lodhur shumë, ju kemi sjellë vajzat e njohura. Asnjëra prej tyre nuk bën zgjedhje rastësore. Shquhen për guxim e shije të mirë.

Ndaj, nëse në këto pasdite ende të freskëta, ndjeni pak të ftohtë kur të dilni netëve, mbani një palë pantallona në çantë.