SPORT

Pas Xhakës, trajneri Panuçi nuk fal as Cikalleshin: Përjashtohet, nuk respektoi rregullat

Dyert e kombëtares shqiptare janë të hapura për të gjithë, por se të gjithë lojtarët duhet të respektojnë fanellën, vendimet e trajnerit dhe mbi të gjitha rregulloren.

Në këtë mënyrë, trajneri i Kombëtares shqiptare Kristian Panuçi, u ka bërë të ditur të gjithë lojtarëve se cila do të jetë rruga që do të ndjekë gjatë drejtimit të ekipit kuqezi.

Në konferencën për shtyp, lidhur me grumbullimin e parë zyrtar të kuqezinjve nën drejtimin e Panuçit, trajneri tha se sulmuesi Sokol Cikalleshi nuk do të jetë në kombëtare për dy ndeshjet e radhës, edhe pse është thirrur nga tekniku.

“Përshëndetje, vendosa që të publikoja listën ditën e premte. Ishin 24 lojtarë, por do të jenë 23. Do ta shpjegoj pse. Ka tre lojtarë të rinj që i kam grumbulluar se i kam ndjekur këto muaj dhe u kam dhënë mundësinë që t’i ftoj në kombëtare se e merituan. Janë 23 lojtarë sepse mora sot një telefonatë nga Cikalleshi, ku më thoshte se nuk mund të vinte se kishte një skuadër ku duhej të firmoste kontratën. Unë e dëgjova dhe i thashë se nuk mund ti jepja leje që të mos vinte në Kombëtare.

Sepse kontratat mund të firmosen edhe me e-mail, ka një menaxher që mund të marrë avionin dhe të vijë në Tiranë për të firmosur, mund të bënte vizitat mjekësore se ka qendra edhe këtu. Duke mos marrë avionin sot në orën 8 e 30, duke mos ardhur në orar në grumbullim, ai do të rrijë në shtëpi. Këto janë rregulla që i bëj unë, praktikës time dhe të gjithë duhet ti respektojmë, e rëndësishme është që të gjithë të jenë mirë dhe të lumtur, nuk i lejoj askujt të bëjë siç do”  tha ai.

Sa I përket mungesës së Taulant Xhakës, trajneri Italian sqaroi situatën në të cilën ndodhet mesfushori në raport me grumbullimin e kombëtares.

 “Portat e ekipit kombëtar janë të hapur për këdo. Nëse i referoheni çështjes së Xhakës mund ta sqaroj. E dini që Xhaka gaboi, por më telefonoi avokati i tij dhe ai. Kjo çështje e konsideroj të mbyllur dhe i pranoj faljet prej tij. Unë e vlerësova ndjesën që kërkoi për rastin konkret. Për momentin kjo është zgjedhje teknike. Gjithçka që bëj është në interes të kombëtares dhe jo në interesin personal. Jam i lumtur nëse fiton Shqipëria”.

Shqipëria do të luajë ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018 kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. E.C/ Copyright Tiranapost.al