Aktualitet Te gjitha

Pas urdhrit të zv.ministrit, shuhen zjarret në Porto Romano


Një ditë më parë zv.ministri i Brendshëm Sandër Lleshi i dërgoi një urdhër Drejtorit të Policisë ku kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për t’i dhënë fund djegjes së plehrave në Porto Romano pasi shkaktojnë probleme me shëndetin e banorëve të
zonës.

Dhe duket se i menjëhershëm ka qenë zbatimi në terren i këtij urdhri.

Gjatë ditës së sotme në Porto Romano, zjarrfikëset ndalën djegien e mbeturinave.
Por Durrësi nuk është i vetmi qytet që ka probleme me djegiet në vendgrumbullimet e mbetjeve dhe ndotjen e ajrit nga tymërat toksikë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila sqaroi urdhrin, probleme janë konstatuar edhe në Vlorë, Kukës, Tiranë e Dibër.
Ndërkohë, policia ka ndërmarrë masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit, duke ushtruar patrullime shtesë në këto zona, e duke bashkëpunuar me strukturat përgjegjëse në prefektura, bashki, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ta zgjidhur përfundimisht këtë problematikë.