Aktualitet

Pas Këshillit të Mandateve, deputetët nxitojnë të flasin në studiot televizive

Kjo e shtunë ka qenë një ditë impenjative për politikën. Sapo ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve, anëtarët e të dy kampeve politike kanë nxituar të nisin një “betejë mediatike” për të thënë versionin e tyre se çfarë ka ndodhur sot pas dyerve të mbyllura.

Në studion e televizionit “News 24” ka qenë i ftuar demokrati Gent Strazimiri, i cili tha se provat e paraqitura sot nga prokuroria ishin shumë bindëse, pasi bëhej fjalë për katër vjet përgjime.

“Ata përdorën termin, “ç’është ky nxitim për Saimir Tahirin. Nuk mund t’ju jap detaje për provat, por ato janë serioze, 4 vite përgjime të certifikuara nga autoritetet italiane. Kolegët socialistë përdorën këtë argument: Nuk na krijohet bindja se ekziston një provë e arsyeshme. Akoma vazhdojnë të përkthehen materiale. Në këto prova dyshimi më i arsyeshëm i socialistëve ishte që të kishin një interes të merrnin pjesë në një intrigë politike. Krimi i organizuar i veshur me kostumin e politikanit, quhet mafie në Itali. Nuk mund të thuash se nuk ka dyshim të arsyeshëm po shko kontrolloji banesën. Është prokuroria ajo që di çfarë të bëjë”, u shpreh Strazimiri.

Në të njëjtën kohë, nga studio e televizonit “Report TV” fliste anëtarja socialiste e Këshillit të Mandateve, Vasilika Hysi. Ajo tha se ashtu si edhe dje, prokurorët nuk dhanë asnjë provë të re lidhur me Saimir Tahirin.

“Ne i thamë ‘po’ autorizimit për kontroll, por për arrestim themi se provat e vëna në dispozicion nuk na bindin. Ne e inkurajojmë prokurorinë të vazhdojë hetimit, sepse ndjekja penale për Tahirin ka filluar, dhe të punojë fortë e të mbledhë gjithë të dhënat për t’i shkuar cështjes deri në fund”, tha ndër të tjera Hysi.

Gjithashtu në studion e “ABC News” ishte i ftuar Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja që tha se komisioni nuk e çmoi të arsyeshme që Saimir Tahiri të arrestohej, pasi për të nuk u paraqitën prova konkrete. Ai sqaroi gjithashtu se çfarë do të ndodhë ditën e mërkurë.

“Ne deri nesër në orën 14:00 duhet të depozitojmë raportin në Kuvend. Të mërkurën do të hidhet në votim. Procedura është që i jepet fjala Saimir Tahirit dhe pastaj hidhet në votim të fshehtë, pa debat”, sqaroi Manja./Tiranapost.al