25 Rreshtat e Mirës

Pas Jo-së le të vijë qameti!

Vendimi i datës 28 nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por me politikat e brendshme të shteteve anëtare të BE-së. Nëse bëjmë një fotografi politike të disa prej shteteve që i japin zakonisht tonin politikës së frontit të parë në BE, ajo është pjesë e mozaikut të realiteteve të reja në Evropë. Evropa nuk është si më parë dhe provat janë super të mjaftueshme. Në Itali po ndodhin çudira. Në Francë kemi një rend të ri me Emmanuel Macron, Moxartin e ekonomisë por edhe udhëheqësin filozof, që po kërkon të ndryshojë rregullat e lojës. Holanda ka një qeveri që mbahet gjallë nga 1 votë dhe koalicioni ka 6 parti të përçara në qëndrime sa i përket çështjes së zgjerimit.

Angela Merkel s'ka pak që ka rimarrë forcat pas një viti të vështirë me qeverinë. Sot është në pozitat e saj të forta por edhe Gjermania u prek jo pak nga lodhja dhe realitetet e reja. Si asnjëherë, edhe gjermanët u tulatën dhe u bënë merak për një gjë që gjithmonë kish shkuar paq.

Sot Merkel ka rimarrë pozitat e forta por kancelarja është përballë 'realiteteve të reja' me krizën e refugjatëve që, në fakt, më shumë sesa politike është një tendencë për të ruajtur vlerat e evropianizmit, ku të drejtat e njeriut janë të parat. Por, ndërkaq, shumë vende evropiane po qëndrojnë në majën e tehut. Polonia po rrëshqet drejt autoritarizmit kurse Hungaria ka kohë që e ka marrë atë rrugë me Viktor Orban-in. Ndaj, vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë është sidomos fotografi edhe e një debati të brendshëm të Evropës. Shqipëria do marrë një përgjigje, që fatkeqësisht s'ka lidhje me meritën e saj, pavarësisht se si serviret. Në qoftë "Po", do themi se Evropa ia doli dhe të gjithë bashkë ecim më tej me detyrat e së ardhmes europiane dhe të Europës.

Nëse do jetë "Jo"? Kjo ka disa pasoja dhe është koha t'i themi hapur pa arra në gojë:

Një vendim negativ do ta kthente Ballkanin me sytë nga fuqi të tjera të mëdha, që nuk kërkojnë reforma dhe standarde, por ofrojnë influencë dhe investime. Duhen emra? Patjetër: Turqi, Rusi..

BE-ja do humbiste mjetet e presionit mbi Ballkan dhe liderët e Ballkanit do të shohin gjithashtu interesin e tyre, duke forcuar pozitat individuale dhe duke e minuar demokracinë. Liderët do kërkojnë të bëhen si Putini apo Erdogani.

Në Ballkan do të rikthehen fantazmat e së shkuarës. Kosova dhe Serbia nuk do të kenë më iniciativa për bashkëpunim. Shqipëria mund të rishohë idenë e Shqipërisë së Madhe. Maqedonia mund të rikthehet në rrëmujën dhe luftën e brendshme mes etnive të ndryshme dhe BE- ja nuk do të ketë asnjë mjet presioni e as peshën e deritanishme në opinionin publik kështu që në anglisht si i bie ta quajmë Qametin: The Darkness!

Rubrika 25 rreshtat e Mirës është e përditshme dhe nuk lejohet ribotimi pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]