Aktualitet

Pas bisturisë, kush bëri investim dhe kush i harxhoi lekët kot?

Ta dimë që dalim aq të bukura, po ia bëjmë hallall lekët doktorit. Po si t’ia bësh kur shkon për vetulla e nxjerr sytë?!

Që të flasim për njëmijtën herë për ndërhrjet plastike, se kush ka bërë e kush jo, se kush e ka pranuar e kush ka thënë “m’u rrit gjoksi natën”, nuk do bënim gjë tjetër veçse do binim në përsëritje. Shumica e atyre që dalin në ekran kanë kaluar të paktën njëherë tek kirurgu plastik dhe këtë s’e luan as topi! Çështja është kaluan që kaluan, qullosën gjë apo ishin më mirë në fillim dhe kot sa u lodhën? Cilat i kanë bërë ndërhyrjet në vendin e duhur dhe janë përmirësuar ndjeshëm e cilat kanë marrë mbrapsht efektin e kundërt?

Ja, për shembull, Irma Libohova, që kemi 40 vjet që e shohim në skenë, me një model më femëror flokësh, me stilin gjithë ngjyra e sidomos me ca ndërhyrje plastike në fytyrë, jo vetëm që i ka hequr vetes nja 20 vjet, por duket më e mirë sesa kur ka qenë sa gjysma e moshës që ka tani. Kur e sheh, të vjen t’i kërkosh numrin e doktorit, që i lumshin duart se tek Irma Libohova ka shkrirë talentin. As ekzagjerime, as fryrje, as tjetërsim të tipareve.

Nuk do ishte keq të kërkonim edhe Jolanda Dhamos emrin e kirurgut që i shndërroi portretin. Thjesht për ta njohur e për t’i dalë të keqes përpara. Një nga këngëtaret më të këndshme të viteve ’80, që këndonte nëpër festival me flokët onde e buzët lyer në rozë, do të shfaqej befas pas viteve 2000 e shndërruar në një komerdare, që nuk do ta kishte njohur kush, nëse nuk do tregonte më parë se cila ishte. Pamja e dikurshme me ca rregullime të gjurmëve të moshës, do kishte qenë shumë më e bukur se kjo e tanishmja, me të cilën me aq sa ka thënë, as Jolanda nuk duket shumë e lumtur.

Pastaj, në ka njeri që ka punuar me zgjuarsi është Monika Kryemadhi. Si të kishte shkuar në një market për të zgjedhur sipas qejfit raft më raft, i ka dhënë fytyrës freski e i ka përmirësuar tiparet pa i shformuar. Buzë më të plota po jo të fryra si me pompë. Mollëza të dukshme po jo të kërcyera. Vetull më e ngritur, gushë e tërhequr. Edhe rënia në peshë ka bërë të vetën. Pastaj edhe grimi e ngjyra e flokëve dhe ja ku e keni Monikën, një çupëlinë 25-vjeçare. E ka ekzagjeruar? Ndoshta! A duket më mirë tani? Shuuuuumë më mirë.

Nuk mund të thuash të njëjtën gjë për Valbona Memën, që ka qenë një fytyrë interesante kur u shfaq për herë të parë në spektaklin e Vera Grabockës, “12 në Hollivud”, me flokë të shkurtër e të verdhë, krejt ndryshe nga modelet me bukle, që bënin këngëtaret në atë kohë. Tani është nga fytyrat e njohura por jo më interesantja. E ka rënduar pak dorën Valbona dhe ndryshimet që i ka bërë fytyrës i kanë dhënë efektin e kundërt. Dikur ka qenë shumë më e këndshme.

Nëse do flisnim për një rast suksesi, ndër të parat që të vjen ndër mend është Argjentina Ramosaj. I ka përmirësuar aq ndjeshëm tiparet e i dhënë aq shumë ëmbëlsi fytyrës sa ia ka vlejtur me të vërtetë çdo qindarkë e shpenzuar për ndërhyrje estetike. Sikur most a kishim njohur më parë, do vinim bast se është natyrale.

Ata që e mbajnë mend Luanën, kur ishte ende velinë, me siguri e kujtojnë të bukur. Se Luana e tillë ka qenë që në fillim, e ëmbël dhe simpatike, se jo më kot ngeli në ekran e nuk u harrua si shumë të tjera. Dhe jo vetëm që nuk u harrua, por mësoi si një nxënëse e dalluar edhe të gjitha leksionet e famës, një ndër të cilët është edhe pamja bombastike. Vetëm se aq bombë është bërë Luana sa prit kur të shpërthejë ndonjë ditë. Ajo është e lumtur më pamjen e saj të re dhe e lumtur qoftë gjithë jetën. Vetëm se një merak kemi ne: a nuk mendon edhe ajo se ka qenë vërtet shumë kukull para se të marrosej pas ndërhyrjeve? A do kishte suksesin që ka sot, nëse do kishte mbetur e paprekur? Këtë s’dimë ta themi. Ajo që themi me siguri është se Luana ka qenë një nga brunet më të bukura të ekranit, para se të bëhej bomba plastike e ekranit. K.S. Tiranapost.al