Aktualitet

Pas 20 vitesh, një kryeministre britanike shkon në Maqedoni. Ja premtimi që iu dha Zaevit

Kryeministrja britanike Theresa May premtoi angazhimin e saj për të ndihmuar Maqedoninë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.  Theresa May është kryeministrja e parë britanike që viziton vendin pas 20 vitesh.  Vizita e saj pasoi një udhëtim në Bullgari për samitin në Sofje  BE Ballkani Perëndimor.

Ditën e djeshme, kryeministrja britanike shkoi për vizitë në Maqedoni, ku u takua me kryeministrin Zoran Zaev. Në konferencën e përbashkët me Zaev, May shprehu përkrahje të fuqishme për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike si dhe për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë.

Mediat maqedonase shkruajnë se May tha se Maqedonia mund të sigurojë një të ardhme të qetë me vullnetin e mirë politik.  “Mund të shihni se çfarë ndodhi vetëm për disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ku pasuan ndryshime të mëdha dhe qeveria shtriu dorën tek fqinjët e saj dhe po angazhohet për gjetjen e zgjidhjes për emrin. Zgjidhja do sjellë përfitime për të dyja vendet”, ka thënë May e ndërsa Zaev i është drejtuar kryeministres duke i thënë se e meritojmë të ardhmen europiane dhe se qeveria e tij është e përkushtuar në zbatimin e reformave.   Sipas Zaev, vizita e saj konfirmon mbështetjen dhe interesin e Anglisë për përparimin e proceseve në rajon./ Tiranapost.al E.B