SPORT

Partizani humbet në miqësoren e luksit me Fenerbahçen

Partizani mundet 3-1 në miqësoren me Fenerbahçen, por Kaleb Ekuban dhe të kuqtë zhvillojnë një ndeshje të mirë. Sulmuesi me ngjyrë i të kuqve me një supergol dhe një rast që një zot e di si e humbi ka qenë më i miri për skuadrën shqiptare. Por jo vetëm. Ai që ka luajtur një takim për t’u pasur zili në pjesën e parë ishte Lorenc Trashi, ndoshta më perfekti në fushë. Një ndeshje e mirë për Partizanin që mund të ishte mbyllur me rezultatin 3-2, nëse Kaleb Ekubani nuk do të shpërdoronte një rast vetëm me portierin turk pas një asisti të Mazrekajt.

Për kronikë, në minutën e 5-të, Ramadani humb një duel në mesfushë duke i dhënë mundësinë Josef të pasonte për Ozan, i cili kontrolloi me lehtësi në qendër të zonës së Partizanit për të mposhtur Hoxhën.

Dy minuta më vonë Ramadani rrezikon autogolin. Në tentativën për të larguar topin nga zona me kokë, godet traversën e portës së Partizanit. Nuk vonon edhe goli i dytë për turqit e Fenerbahçes, pikërisht në minutën e tetë të lojës. Pas zhvillimit të një goditje këndi, Fernandao devijon në portën e Hoxhës një gjuajtje të Karavaev duke dyfishuar shifrat.

Është minuta e 39-të. Në një ndeshje të dominuar plotësisht nga Fenerbahçe, ndonëse mundësia e parë e mirë për të shënuar e Partizanit shfaqet pas një harkimi të Trashit nga e majta. Por Ekuban nuk arrin të devijojë siç duhet drejt katërkëndorit dhe sfera përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën në të djathtë të portierit Demirel. Partizani e mbyll pjesën e parë me një goditje të Ekuban pas një kundërsulmi të shpejtë, por gjuajtja e sulmuesit në një pozicion të favorshëm është jashtë kuadratit të portës.

Partizani nis pjesën e dytë me dy ndryshime. Malota aktivizohet në vend të Krasniqit, ndërsa Fili zë vendin e Bardhit. Minuta e 58-të. Lens i shmanget mbulimit të Ibrahimit dhe gjuan drejt portës së Hoxhës, por topi kalon pak mbi traversë. Në minutën e 79-të Hoxha bën mrekullinë ndaj Fernandao duke grushtuar një gjuajtje me kokë nga distancë e afërt e sulmuesit të Fenerbahçes, ndërsa më pas është me fat pasi tentativa e dytë e brazilianit i përplaset në trup dhe përfundon jashtë.

Minuta e 81-të. Pas një aksioni të shpejtë të skuadrës turke, mbrojtja e Partizanit harron të vetëm Kojabashi në hyrje të zonës dhe gjuajtja e tij gjen trekëndëshin e portës së Hoxhës që nuk ka as kohë të reagojë ndaj gjuajtjes së mesfushorit. Partiznai i dorëzuar, sepse realisht skuadra e kuqe nuk përballon Fenerbahçen.

Por në minutën e 83-të ndryshon gjithçka për skuadrën tonë. Kundërzbritje e shpejtë e Ekuban në krahun e majtë. Sulmuesi tregon të gjithë vlerat e tij duke mposhtur Fabinjon për të shënuar golin e nderit për Partizanin në këtë sfidë. Ndeshja mund të ishte mbyllur me rezultatin 3-2 nëse Ekuban nuk do të kishte humbur një rast vetëm me portierin e turqve, pas një asiti të Mazrekajt. Pikërisht Ekuban dhe Trashi ishin më të mirët në fushë. Sinjale pozitive kanë ardhur nga Mazrekaj. Pak minuta edhe për shkodranin Hakaj, ndërkohë që Kalari i zëvendësuar nuk ka lënë përshtypje të mira. Të kuqtë munden 3-1 nga Fenerbahçe, por loja ka qenë e mirë.

Ndaj gjigantëve turq, të kuqtë paguan jo vetëm diferencat teknike mes dy ekipeve, por dhe faktin që Fenerbahçe ishte shumë më përpara me fazën përgatitore gjë që u vu re që në fillimin e ndeshjes.

Përmbledhja e ndeshjes

https://www.youtube.com/watch?v=Vb1asWLMZvU