Art & Kulturë Blogu i Rërës Filma Te gjitha

Parisi, etapa e radhës për Al Pacinon: Suksesi nuk është të fitosh çmime, por të besosh në vetvete


Le Figaro/ Prej vitesh ëndërronte një ndalesë në Paris, e kështu miku i tij Jean Reno i prezantoi producentin dhe bashkëdrejtuesin e “Théâtre de Paris” Richard Caillat. Me një frymë vendosën datën e dy mbrëmjeve të jashtëzakonshme, 22 dhe 23 tetor, pikërisht në “Théâtre de Paris” për spektaklin e tij “Al Pacino on stage”. Bota mbarë e njeh si yll kinemaje, por jo të gjithë e dinë se aktori Al Pacino ka lindur në teatër, të cilin kurrë nuk e ka braktisur. Ka interpretuar pjesë nga të gjithë autorët: Strindberg, Horovitz, Tennessee Williams, O’Neill, Mamet, Sofokliun. Është vënë në rolin e Arturo Ui të Brehtit, por trajektorja e tij shekspiriane të lë pa frymë: nga roli i Jul Çezarit, tek Hamleti, Otello dhe në veçanti Tregtari i Venedikut, deri në madhështinë e Rikardit III në vitin 1996.

Al Pacino, pse në Paris?
Richard Caillat dhe Laurent Morlet erdhën në teatrin e New York dhe më pas më përshëndetën në dhomë, duke më propozuar të vija në Paris. Menjëherë u përgjigja “po”. Shfaqja ime është një lloj bisede-spektakël, një formulë që e gjej shumë interesante dhe e kam eksperimentuar edhe më parë. Tregoj se si ka qenë jeta ime, duke marrë frymëzim edhe për të aktruar disa pjesë teatrale e duke folur me publikun. Një gjë shumë e bukur, sepse bashkon spontanitetin me aftësinë për të mësuar gjëra të reja mbi vetveten. Pjesët që zgjedh për të recituar nuk janë kurrë të njëjtat. Disa janë pjesë filmash, të tjera janë fraza që më kanë pëlqyer si spektator, ose që i kam luajtur vetë. Pjesa që më pëlqen më shumë është kur publiku më drejton pyetje, sepse çdo herë ka diçka të re dhe gjërat që tregoj janë të ndryshme. Ka mjaft intimitet në marrëdhënien tonë.

Pra, ka edhe pjesë improvizimi?
Po, improvizimi fillon që kur hy në skenë. Pikërisht kjo më mrekullon.

E keni dashuruar teatrin dhe interpretimin skenik që në fëmijëri. Aktor lind, apo bëhesh?
Gjithçka është e lindur. Gjithçka që na nxit të bëjmë gjëra të bukura, gjendet brenda nesh. Nuk e dimë saktësisht “përse”, dhe për më tepër që unë nuk jam njeriu i përshtatshëm për ta shpjeguar.

Çfarë kujtimesh keni nga performanca e parë para publikut?
Kam debutuar në moshën 11-12 vjeçare, por më parë kisha nisur të recitoja. Kujtimet e para lidhen me shkollën. Duhet të bëhesha pjesë e një spektakli të quajtur “The Melting Pot” ku do të luaja rolin e Italisë. Ishte një pjesë për heterogjenitetin amerikan. Pjesa më e madhe e fëmijëve në shkollën time ishin bij emigrantësh, të ardhur nga të katra anët e botës. Unë u përzgjodha për të luajtur Italinë dhe për mua ishte mahnitëse sepse dhjetë vjeç as e dija se ku i binte Italia. Kisha vetëm disa nocione të vagullta, pasi gjyshërit e mi flisnin italisht vetëm kur nuk donin që të tjerët t’i kuptonin. Mbaj mend që shihja një vajzë me flokë të zinj, që edhe ajo luante Italinë, dhe mendoja gjithmonë se si do të duhej të ishte një vajzë italiane. Fill pas kësaj u erdhi radha edhe veprave teatrore në shkollë. Më pëlqente të bëja pantomima ose klounin, por ajo që doja më shumë ishte të bëhesha lojtar bejsbolli. E dija se kurrë nuk do të bëhesha, ndaj recitimi ishte mundësia e dytë më e mirë. Kuptova që doja të bëhesha aktor vetëm kur e pata të qartë se ai ishte vendi i ideal për të shprehur ndjenja dhe ide. Kuptova se cila do të ishte jeta ime: të aktroja, të shprehesha nëpërmjet personazheve të veprave që luaja.

Jeni habitur nga suksesi i “Rikardi III, një burrë, një mbret”?
Beh, ndoshta nuk mund të quhet sukses. Sukses është kur një vepër teatrale apo një film i caktuar shkon përtej çmimeve që merr. Pyetja, për sa i përket Rikardit III por edhe çdo filmi tjetër, është: A kam arritur të shpreh atë që unë doja? Shpesh herë kjo gjë nuk ndodh, por gjithsesi merr shumë komplimente. Herë të tjera arrin, por komplimentet nuk vijnë, madje në të kundërt, vijnë shuplaka.

A është kinemaja një mënyrë për të zgjatur magjinë e teatrit?
Unë këtë shpresoj sa herë përshtat veprat teatrore për kinemanë. Gjithmonë dua të riprodhoj dinamikat e teatrit, atë spontanitet që është thelbësor për teatrin. Këtë inkurajoj. Kam xhiruar Salomenë, një doku-dramë që të skandalizon, vepra më e rëndësishme e Oscar Wilde dhe njëherazi tragjedia e tij personale. U përpoqa t’i shkoja sa më pranë me veprën teatrale Salome, një ndër të preferuarat e mia. Nuk e di sa ia kam arrirë, por jam aq i çmendur sa ta provoj edhe një herë.

Sipas jush, cilët janë dramaturgët më të mëdhenj amerikanë të ditëve tona?
Vështirë ta thuash. Disa janë të njohur nga të gjithë, por më duhet të them se nuk kam lexuar shumë prej autorëve bashkëkohorë, atyre më modernë. Deri në vitet ’80 kam  interpretuar David Mamet, Tony Kushner, David Rabe dhe veprat e tij mbi Vietnamin. Janë Tennessee Williams dhe Edward Albee, dy kolosë. Pastaj është uniku Eugene O’Neill.

Pas “Pacino on stage”, do t’ju shohim prapë në teatër në Paris?
Për mua është një ëndërr. Diçka do bëj, duhet ta bëj. Por në këtë moment jam i lidhur me Los Angelesin, ku jetojnë fëmijët e mi të vegjël dhe jam një baba beqar. Shpesh herë është impenjative. Nëse dua të rri sa më pranë fëmijëve, duhet të gjej projekte në Los Angeles. Kështu ka qenë jeta ime që 18 vjeç./Tiranapost.al