Aktualitet

Paradoksi i fuqisë, mitet e pushtetit

“Është më mirë që të të kenë frikë sesa të të duan”- shkruan Niccolo Machiavelli tek “Princi”, vepra e tij klasike e shekullit XVI, e cila advokonte manipulimin dhe herë pas here mizorinë si mënyra më e mirë për të arritur pushtetin. Pothuajse 500 vjet më vonë bestselleri i Robert Grene “48 ligjet e fuqisë”  do ta kishte mbushur Machiavell-in me krenari. Libri i Greene ka një mesazh thellësisht makiavelist. Këto janë disa nga 48 ligjet e tij:

Ligji 3- Mos ekspozo qëllimet e tua

Ligji 6- Mbaje vëmëndjen tek të gjitha kostot e veprimeve të tua

Ligji 12- Përdor sinqeritetin dhe bujarinë në mënyrë selektive, për të çarmatosur viktimat e tua

Ligji 15- Shkatërroje plotësisht armikun tënd

Ligji 18- Mbaji të tjerët në një gjendje të vazhdueshme terrori.

Të udhëhequr për shekuj me rradhë nga këshilla si ato të Machiavelli-t apo Greene-it ne jemi të prirur të besojmë se marrja e pushtetit kërkon forcë, mashtrim, manipulim dhe imponim ndaj tjetrit. Madje, ne shpeshherë supozojmë se pozicionet e pushtetit duhet të mbahen nga njerëz që i zotërojnë aftësitë për të kryer veprimet e mësipërme. Na është krijuar bindja se për t’u drejtuar siç duhet shoqëria ka nevojë për liderë që janë të aftë dhe mund ta përdorin pushtetin e tyre në këto mënyra.

Sado ndjellëse që të jenë këto nocione ato janë absolutisht të gabuara. Një shkencë e re që ka objekt studimi të sajin pushtetin, tregon se pushteti mbahet në mënyrë më efektive kur mbartësi i tij e përdor atë me përgjegjësi, është i përfshirë dhe i ndjeshëm për nevojat apo interesat e vartësve të tij. Shumë vite kërkimesh kanë treguar se empatia dhe inteligjenca sociale janë shumë më të rëndësishme për marrjen dhe zotërimin e pushtetit sesa forca, mashtrimi, dhuna dhe terrori.

Kërkimet sociologjike delegjitimojnë krejtësisht mitet në lidhje me atë çfarë do të thotë pushtet i vërtetë, mënyrën sesi njerëzit mund ta arrijnë atë dhe sesi duhet të përdoret kur e kanë. Megjithatë, po të njëjtat studime dëshmojnë se sapo njerëzit arrijnë në pozita pushteti ata fillojnë të veprojnë në një mënyrë më egoiste, impulsive dhe agresive si edhe e kanë më të vështirë ta shohin botën nga këndvështrimi i vartësit të tyre. Ky fakt na çon tek paradoksi i pushtetit: Aftësitë më të rëndësishme që na japin mundësi të marrim  pushtetin dhe që janë vlerat e duhura për ta mbajtur atë fillojnë dhe zhduken në momentin që ne marrim pushtet.

Paradoksi i pushtetit duhet të na detyrojë të jemi vigjilentë ndaj influencave korruptive që burojnë nga pushteti dhe aftësinë që ka për të ndryshuar mënyrën sesi ne e shohim veten dhe si i trajtojmë të tjerët. Por,  gjithashtu ky paradoks duhet të na bëjë të vetëdijshëm se mitet aktuale të pushteti nuk janë të vërtetë dhe duhen sfiduar. Këto mite na bindin të zgjedhim liderë të këqinj dhe të tolerojmë abuzimin me pushtetin. Në vend që të promovojmë botën makiaveliste (e cila natyrisht do të na shtyjë të zgjedhim liderë makiavelistë) ne duhet të promovojmë një model ku fuqia dhe pozitat e pushtetit determinohen nga bashkëpunimin, përgjegjësia dhe dashamirësia për të tjerët.

Miti i parë është se pushteti do të thotë: para, vota dhe muskuj. Termi “fuqi”evokon një imazh force dhe imponimi. Shumë njerëz përfytyrojnë mishërimin e fuqisë në parlament ose në bordin e një ndërmarrjeje ku merren vendimet. Shkencat sociale e kanë trajtuar fuqinë si një domen që lidhet me potencën financiare, pjesëmarrjen në procese elektorale dhe mbledhjen e shumë votave dhe fuqisë ushtarake.

Por, ekzistojnë dhe një numër i madh përkufizimesh të tjera për fuqinë: një 2-vjeçar pa para në xhep që qan te dyqani dhe arrin të marrë një ëmbëlsirë nga shitësi ka ushtruar fuqi, ose kur një partner e manipulon tjetrin që të bëjnë seks, apo edhe suksesi i lëvizjeve politike jo të dhunshme në shtete si India dhe Afrika e Jugut. Të shohësh fuqinë si para, vota dhe muskuj na verbon ndaj manifestimeve të fuqisë në jetën tonë të përditshme.

Kërkimet e reja psikologjike i kanë dhënë dimensione të reja termave të pushtetit dhe fuqisë. Në shkencat psikologjike fuqia përkufizohet si kapaciteti i një njeriu për të ndryshuar gjendjen ose dëshirën e një personi tjetër duke ofruar diçka, si p.sh: ushqim, para, dije apo afeksion, por edhe duke dhënë ndëshkime si dhunë fizike, largim nga puna dhe përjashtim social. Ky përkufizim i heq rëndësinë faktit sesi njeriu sillet realisht dhe  thekson kapacitetet e një njeriu për të pasur ndikim mbi të tjerët. Ky përkufizim është më i sakti dhe tejkalon marrëdhëniet, kontesktin social dhe kulturën e çdo vendi. Përkufizimi na ndihmon ne të kuptojmë sesi fëmijët kanë pushtet mbi prindërit e tyre që në momentin që lindin. Kjo na tregon se mund të jesh i fuqishëm pa pasur kontroll dhe pa dominuar të tjerët. Madje, kur njerëzit fillojnë dhe kontrollojnë të tjerët, është shenjë se ata vetë ndjejnë që pushteti i tyre po u ikën.

Pushteti nuk është diçka që u jepet vetëm individëve apo organizatave të etura për të, por është pjesë e çdo ndërveprimi social ku njerëzit kanë mundësi të influencojnë gjendjen e njëri-tjetrit në çdo moment të ditës. Pretendimet se pushteti është produkt i biologjisë së mashkullit, nuk vërejnë faktin se shumë femra zotërojnë pushtet në shumë situata sociale. Në fakt studimet kanë nxjerrë konkluzionin se femrat kanë po aq pushtet sa edhe meshkujt në struktura hierarkike informale.

Kështu që pushteti është diçka që as nuk duhet, por as nuk mundemi ta shmangim, sepse nuk përfshin domosdomshmërisht dominim dhe nënshtrim. Ne negociojmë pushtetin në çdo ditë të jetës sonë (madje, Frojdi do të argumentonte edhe natën gjatë ëndrrave tona). Kur ne kërkojmë barazi, ne realisht kërkojmë një balancë efektive të pushtetit, jo mungesën e tij.

Një nga pyetjet kryesore që shtrohen është se kush e merr fuqinë? Studiuesit tregojnë se kanë ngritur këtë pyetje prej vitesh dhe rezultatet e kërkimeve të tyre janë shumë larg botëkuptimit makiavelist. Nuk janë stratëgjitë manipulative ato që të mundësojnë marrjen e pushtetit. Është aftësia për kuptuar qëllimet e një grupi të madh apo të vogël dhe për të ndihmuar në realizimin e interesave të grupit. Inteligjenca, bashkëpunimi, zbutja e konflikteve dhe negociimi është rruga e vërtetë drejt pushtetit.

Një mit tjetër fatal në lidhje me pushtetin është se besohet që ai arrihet duke vendosur kundërshtarët ne luftë me njëri-tjetrin. Por, këtu makiavelizmi sërish gabon, pasi me rritjen e inteligjencës sociale njerëzit formojnë alenca dhe kanë mundësi të kufizojnë fuqinë e atyre që janë në pushtet. Me kalimin e kohës pushteti fillon dhe derivon tek aq shumë faktorë sa lufta mes dy njerëzve nuk eliminon interesat dhe qëndrimet e një grupi të tërë antagonistësh.

“Pushteti korrupton, pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute”- ka shkruar historiani britanik Lordi Acton. Për fat jo të mirë, ky pohim nuk është tërësisht i gabuar dhe është provuar nga eksperienca se njerëzit më shumë pushtet kanë qenë edhe shumë të korruptuar. Pushteti na bën më paragjykues dhe më të prirur për të qenë agresivë. Por, kjo sjellje nuk duhet të tolerohet më për politikanët tanë dhe kurrsesi nuk duhet të promovohen në shoqëri.

Ne duhet të ndryshojmë standartin për veten tonë, kolegët dhe të afërmit tanë, për të praktikuar pushtetin që kemi me racionalitet dhe empati dhe për të detyruar të tjerët të bëjnë po të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë ne do të ndërmarrim një hap të rëndësishëm për promovimin e martesave të shëndetshme, këndeve të lojrave të paqme pa dhunë dhe konflikt dhe shoqëri të ndërtuara mbi parimet e bashkëpunimit dhe besimit.  K.H/ tiranapost.al