Aktualitet

Pako me ushqime për familjet në nevojë

Tryeza e mbrëmjes së Vitit të Ri do të jetë plot me ushqime edhe për familjet të cilat ndodhen në vështirësi ekonomike. Bashkia e Tiranës iu është gjendur pranë familjeve në nevojë, duke shpërndarë këto ditë pako ushqimore dhe dhurata për fëmijët me rastin e festës së ndërrimit të viteve.

Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, por edhe bizneseve të ndryshme që në këto ditë festash të dhurojnë ndihma për familjet në nevojë.

Ndërsa një mesazh të veçantë Veliaj e dha për ata që kanë një të moshuar në komunitetin ku jetojnë. Nisur nga përvoja pozitive një vit më parë gjatë situatës së emergjencave si pasojë e temperaturave tepër të ulëtave, Veliaj kërkoi një përkujdesje më të madhe ndaj moshës së tretë.

“Ka shumë të moshuar që i kanë fëmijët në emigracion, që ndoshta kanë harruar t’i telefonojnë, të interesohen. Mbaj mend në fillim të vitit vjet, kur filloi ngrica e madhe, një nga problemet kryesore që patëm ishin të moshuarit që jetonin vetëm. Njerëzillëku duhet ta karakterizojë një qytet, siç e karakterizon një familje. Teknologjia bën punën e saj, celulari, infrastruktura bëjnë punën e tyre, por asnjë nuk e zëvendëson njerëzillëkun, që secili duhet të ketë brenda vetes”, tha Veliaj. / Copyright Tiranapost.al