Aktualitet

Pajisje të reja për Zjarrfikësen në kryeqytet

Disa pajisje të reja dhe moderne i janë shtuar shërbimit Zjarrfikës në Tiranë si; materiale, uniforma, fikëse zjarri dhe mjete ndihmëse, të cilat do të lehtësojnë punën për menaxhimin e situatave emergjente që mund të shfaqen në të ardhmen.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se falë përmirësimit të pajisjeve dhe të kushteve të punës, shërbimi zjarrfikës do e ketë shumë herë më të lehtë për të përballuar me sukses stinën e verës për menaxhimin e rasteve të zjarreve.

Shpresoj që e kemi bërë punën pak më të lehtë falë kësaj ndihme dhe do të thosha që me mjetet e reja do kemi mundësi që, siç përballuam dimrin me sukses, të përballojmë me sukses edhe stinën e verës. Kemi sot bombula oksigjeni, kemi pompa krahu, sidomos për zonat pyjore ku kemi pasur shumicën e zjarreve gjatë stinës së verës”, deklaroi ai, teksa kërkoi prej qytetarëve që të ndihmojnë duke sinjalizuar në kohë çdo rast problematik që mund tëshfaqet.

Gjithashtu Veliaj vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga qeveria turke për përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e shërbimit zjarrfikës.

“Dua të falënderoj ambasadorin e Turqisë dhe të gjithë shokët tanë nga TIKA sepse na kanë ndihmuar në një situatë ku kishim nevojë jetike. Pajisjet, mjetet mbrojtëse, mjetet e oksigjenit, të ndriçimit, uniformave anti-zjarr, është realisht çështje jetë a vdekje. Për shokët që na ndihmuan kemi vetëm mirënjohje, ndaj dua t’ju falenderoj në emër të qytetarëve të Tiranës, por edhe të zjarrfikësve të Tiranës”, tha Veliaj.

Më pas, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësuesit e ambasadës turke dhe të TIKA-s në Tiranë morën pjesë në mbjelljen e 250 pemëve të reja përgjatë Unazës së Madhe, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore në kryeqytet. /Tiranapost.al