Aktualitet

Pa filluar mirë negociatat e BREXIT, Theresa May kërcënon Europën

Pa filluar ende mirë negociatat për BREXIT, Theresa May  është akuzuar nga BE se e ka kërcënuar këtë të fundit me tërheqjen nga projektet e përbashkëta të sigurisë në rast se nuk arrihet një marrëveshje e mirë tregtare.

Sipas Brukselit, May duke dashur t’i imponohet Unionit e ka filluar ditën e parë të negociatave me një kërcënim se në rast se paraprakisht nuk negociohet me qëllimin e arritjes së një marrëvshje të lirë do tërhiqte mbështetjen ushtarake. Britania është një nga dy fuqitë bërthamore së bashku me Francën dhe ka një prej ushtrive më potente në botë. BREXIT nuk parashikon edhe ikjen nga projektet ushtarake në kuadër të Unionit, por kjo nuk e ka ndaluar May të kushtëzojë ekonominë me ushtrinë.

Përderisa pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermanisë nuk i lejohet arsenali bërthamor dhe ka limite ligjore në përmasat e ushtrisë së saj, kontributi financiar dhe në pajisje është shumë i rëndësishëm për projektet evropiane. Për më tepër blloku perëndimor mbështetet shumë tek inteligjenca dhe ekspertiza zbuluese e shërbimeve britanike.

Dita 1 e fillimit të divorcit dhe ndryshe nga se mbështetësit e dy kampeve, seperatistët apo unionistët pretendojnë nuk do të jetë e lehtë për askënd. Eurokratët shprehen se do ta bëjnë Britaninë të paguajë shtrenjt largimin e saj për ta bërë shembull për anëtarët e tjerë, por Britania as që ka ndërmend të bëjë kompromise. Ligjërisht ajo ka të drejtën e divorcit dhe ka një rëndësi shumë të madhe në botë, për t’u neglizhuar ose nëpërkëmbur.

Ky është vetëm fillimi i një sage të gjatë, bisedash, përplasje dhe kontradiktash dhe vetëm historia do të vërtetojë se cila palë ka të drejtë.