Kosova

OSBE, asistencë teknike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës

OSBE, asistencë teknike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në

Dy subjekte politike shqiptare dhe një serb kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Misioni i OSBE-së do të ofrojë asistencë teknike për këto zgjedhje për shkak të rrethanave politike në veri.

Ka përfunduar afati për aplikimin e subjekteve politike që duan të garojnë për kryetar të komunave në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen me 19 maj, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Në afatin e paraparë kanë aplikuar tri subjekte politike, dy subjekte shqiptare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Lëvizja Vetëvendosje si dhe subjekti politik Lista "Srpska”. "Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, e cila më pas pritet t'i paraqesë KQZ-së rekomandimet përkatëse për secilën nga këto parti”, njofton KQZ.

OSBE ndihmon zhvillimin e zgjedhjeve

Edhe kësaj radhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, pritet të ketë një përfshirje të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian OSBE. E gjithë kjo për shkak të rrethanave politike në veri. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të angazhojë personel për këshilla dhe ndihmë teknike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore, njoftojnë zyrtarë të OSBE-së. "Ambasadori Jan Braathu, kryetar i misionit të OSBE-së në Kosovë, planifikon ta takojë kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka për ta informuar rreth përgatitjeve. Më pas do të vazhdojmë takimet e rregullta, është shprehur ai. "Ekipi zgjedhor i Misionit do të vazhdojë të mbajë kontakte të ngushta me KQZ-në dhe komisionet komunale të zgjedhjeve gjatë gjithë procesit në vazhdim”, ka njoftuar zyra për informim e OSBE-së. Sipas tyre, "misioni do të ketë personel të përfshirë në komisionet komunale të zgjedhjeve dhe në komisionet e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve, me qëllim që të ofrojnë këshilla dhe ndihmë teknike gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri mbahen pasi katër kryetarët e komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, që udhëhiqeshin nga Lista Srpska, dhanë dorëheqje në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në shenjë kundërshtimi dhe proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës shtesë prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

Goran Rakiq proteston kundër doganës 100% të vendosur për mallrat serbe

Rakiq: Shqiptarët në veri të mos e marrin kontrollin ndaj katër komunave

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç ka thënë ai, "shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”. "Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje u mor me qëllim që shqiptarët në veri, të cilët përbëjnë vetëm 0.1 për qind, të mos e marrin kontrollin ndaj katër komunave. Nuk do t'i lejojmë as Prishtinës e as kujtdo nga bashkësia ndërkombëtare që në ato funksione të sjellin shqiptarë e as marioneta serbe, të cilët do të punojnë siç u thonë ata”, pati thënë kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, gjatë një takimi në Beograd me presidentin e Serbisë, Goran Rakiq, që shoqërohej në takim me Vuciqin së bashku me deputetët e listës Srpska dhe dhjetra përfaqësues lokal dhe në nivel qendrorë të serbëve të Kosovës.

Thirrje subjekteve politike dhe banorëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri u kanë bërë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ata thonë se banorët e veriut duhet "ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje”./DW/Tiranapost