• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Librat e Arlindës Të gjitha

    Origjina dhe përgjigjet e paimagjinueshme të Dan Brown


    Arlinda Dudaj/ Nga erdhëm dhe ku po shkojmë, këto janë pyetjet me të cilat merret Dan Brown në romanin e tij më të fundit “Origjina”, një libër i cili sapo u botua kapi majat e listave bestseller në gjithë btën siç përherë ndodh me këtë autor dhe librat e tij. Dhe ti në fakt e kupton sakaq, sapo zhytesh të lexosh faqet e para se ai e ka gjetur çelësin se si ta përfshijë lexuesin brenda historisë duke e robëruar derisa të mbërrijë në faqen më të fundit. Eh aty është përherë profesor Langdoni dhe një grua simpatike vendase, Ambra Vidal. Gjithashtu dhe një shkencëtar gjenial, Edmund Kirsh që ka zbuluar përgjigjen e një pyetjeje që e ka munduar njerëzimin prej mijëra shekujsh: Nga erdhëm ne? Ku e ka gjenezën qenia njerëzore? Mosmarrëveshja mes shkencës e fesë dhe teoritë e ndryshme që përplasen mes tyre, duke shkaktuar një kaos edhe më të madh se vetë pyetja. Ka kaq shumë sfond të gjallë e të vërtetash në të gjitha romanet e Dan Brown, dhe kjo bëhet gjithashtu një tjetër çengel që e tërheq lexuesin në brendinë e atyre 616 faqeve të mrekullueshme, të cilat pasi i përpin të vjen keq që i mbarove. Ngjarja hapet në muzeun e mahnitshëm Gugenhajm në Bilbao të Spanjës, plot me vepra arti të mrekullueshëm kontemporan, paraqitja e muzeut në libër aq e gjallë dhe reale sa të bën të dëshirosh menjëherë ta vizitosh. Aty Edmund Kirsh, shkencëtari gjeni i teknologjisë, që i përngjan një Elon Musk të vërtetë, ka ftuar ajkën e botës për t’i rrëfyer të vërtetën që ka zbuluar duke shfrytëzuar teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për t’i dhënë përgjigje pyetjes se nga erdhëm ne. Jeta e Kirshit këputet në mënyrë tragjike nga një plumb në mes të kësaj shfaqjeje që bota s’e kish parë kurrë.

    Këtu fillon aventura e profesor Langdonit dhe drejtoreshës së muzeut Ambra Vidalit, që nuk është tjetër veçse mbretëresha e ardhshme e Spanjës. Ata do të nisen në drejtim të Barcelonës për të shkuar drejt e në strehën e Kirshit, një vepër e mahnitshme e Gaudit. Rrugëtimi do të kalojë nëpër një labirint të mahnitshëm misteri, veprash arti, emrash e tekstesh të njohura shkrimtarësh në kërkim të së vërtetës së madhe: Nga erdhëm ne?

    Por pyetja që djeg më shumë është: Ku po shkojmë?

    Përgjigjet si përherë të Dan Brown janë të paimagjinueshme./ Blogu “Librat e Arlindës”/ Copyright Tiranapost.al