• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    PS reagon për shkrimin e “Bild”: Ishte i paguar nga opozita


    Në mediat shqiptare dje qarkulloi një shkrim i gazetës gjermane “Bild”, me titullin “Pse po digjet Ballkani?”, ku përmendeshin akuzat e opozitës për qeverinë. Në atë shkrim ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani, cilësohet si një profesor i nderuar, ndërsa Basir Çollaku quhet gazetar i besueshëm. Te artikulli i bazuar te fjalët e tyre shkruhej se, qeveria mbron mafien dhe personat që janë të përfshirë në trafikun e drogës.

    Një shkrim i mangët që të dukej “Bild” si portal i dorës së tretë në Shqipëri, jo për nga akuzat, sesa nga mungesa e profesionalizmit që jemi mësuar të shohim tek mediat e huaja. Sot lidhur me këtë shkrim reagoi edhe Partia Socialiste, duke u shprehur se opozita po paguan mediat ndërkombëtare që të nxijë imazhin e Shqipërisë.

    Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, në një deklaratë për mediat lidhur me artikullin tha ndër të tjerash: “Fatkeqësisht, prej parave të pista, të ardhura nga vende të huaja, përfaqësues të opozitës duan thjesht dhe vetëm të botojnë në media ndërkombëtare baltën dhe shpifjen që recitojnë çdo ditë në Shqipëri”. Ajo theksoi se kjo është një strategji që po ndiqet nga opozitarët.

    Deklarata e plotë: 

    Ata që paguajnë para për të nxirë imazhin e Shqipërisë në Botë, për të goditur ekonominë dhe turizmin, sot dalin dhe rrahin gjoksin krenarë për zullumet që i bëjnë Shqipërisë.

    Është e vërtetë, artikuj si ai i djeshmi në gazetën gjermane, i bëjnë dëm imazhit të vendit jashtë.

    Në Shqipëri askush nuk beson vërtetësinë e një artikulli ku dëshmitarë janë një ish-ministër i opozitës dhe një gazetar i oborrit të opozitës.

    Fatkeqësisht, prej parave të pista, të ardhura nga vende të huaja (dhe kjo pistë është nën hetim serioz), përfaqësues të opozitës duan thjesht dhe vetëm të botojnë në media ndërkombëtare baltën dhe shpifjen që recitojnë çdo ditë në Shqipëri.

    Kjo është strategjia e opozitës, e cila pa vizion dhe program për të ardhmen do vetëm të djegë e të shkrumbojë të tashmen./ Tiranapost.al