• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Të gjitha

    Obeze nga informacioni, Julia Hobsbawm ndërton një teori të re për shoqërinë: Ka një zgjidhje që njerëzit të mos jenë veçse numra


    Intervistë me studiuesen Julia Hobsbawm, vajzën e historianit të madh Eric, që mbështet një qasje neu-humaniste ndaj botës dixhitale.

    Mban një mbiemër të rëndësishëm, por Julia Hobsbawm, vajza e historianit Eric Hobsbawm, tashmë me librin e saj të fundit “Plotësisht të ndërlidhur” ka marrë vëmendjen jo vetëm të publikut britanik, por edhe të atij global. “Shëndeti social në kohën e mbingarkesës” është nëntitulli i këtij libri të sapobotuar, ku Hobsbawm përshkruan gjashtë fazat e mbingarkesës: obezitetin e informacionit, urinë për kohë të lirë, zgjerimi teknologjik, rrëmujën e lidhjeve njerëzore, fryrjen organizative dhe së fundmi, në një kuptim, enjtjen e jetë personale që vjen si pasojë e këtyre elementëve të mësipërm.

    Ju flisni për “shëndetin social” si objektiv i domosdoshëm për t’u arritur për mbingarkesën. Pra, jemi përballë varësisë teknologjike prej së cilës duhet të çlirohemi?
    Jo, qëllimisht nuk kam folur për varësi në librin tim sepse fjala kyçe është “sjellja”. Çështja është si mund ta ndryshojmë. Problem në etiketimin e teknologjisë si varësi e zhvendos problemin gjetkë. Është përhapur një tezë e fortë sipas së cilës problemi janë makinat, por nuk është kështu: kemi të bëjmë me një problem kulturor. Nuk shoh asgjë të gabuar në dëshirën për të komunikuar dhe për të shpërndarë me të tjerët.

    Është një impuls tërësisht njerëzor.
    Ekzakt. Pjesa e varësisë i takon teknikave të shpërblimit. Ekziston një element varësie i krijuar qëllimisht por nuk i takon mediumit në vetvete. Një prej gjërave për të cilat po ndërgjegjësohemi është manipulimi i këtyre mediave. Manipulimet bëhen për të krijuar varësi, por gjithmonë ekziston një zgjedhje. Sjellja njerëzore mund të ndryshojë. Të flasim vetëm për varësi na bën si fëmijët, na kthen në viktima dhe unë mendoj se nuk jemi të tillë. E vërteta është se të gjitha varësitë mund të tejkalohen duke ndryshuar sjellje. Nuk mbështes argumentin libertarian sipas së cilit gjithkush është i lirë të bëjë çfarë të dojë, sepse ka presione sociale dhe manipulime teknologjike. Por ama ky është momenti kur mund të zgjohemi duke thënë “Në rregull, tashmë mund të bëj një zgjedhje”. Unë tymosja 30 cigare në ditë, nga ato të fortat. Ndjeja shumë kënaqësi. Por në fund hoqa dorë.

    Ju në qendër të gjithçkaje vini zgjedhjen personale.
    Po, por edhe kulturën që na rrethon. Le të shohim tregun e mirëqenies. Sot të gjithë arrijmë të kuptojmë se çfarë është mirëqenia personale. Kam pyetur veten se përse arritëm të ndërgjegjësoheshim për sjelljet e dëmshme për shëndetin: Ishin pikërisht kultura dhe tregu. Sot tregu i mirëqenies në botë arrin 3,7 trilionë dollarë.

    Kështu që duhet të zhvillojmë edhe mirëqenien sociale?
    Sigurisht që po. Është një diskutim shumë më interesant se sa të thuash “jemi të gjithë viktima, jemi të gjithë të varur”. Dua të zhvilloj një metodë se çfarë duhet bërë, në të njëjtën mënyrë siç është arritur reduktimi i sheqerit apo i kalorive.

    Ka një recetë?
    Ashtu si shëndeti personal, fizik dhe mendor, që bazohet në dieta ushqimore, ushtrime dhe gjumë, për shëndetin social duhet të krijojmë lidhje në mënyrë produktive dhe funksionale. Në punë dhe në jetë kemi nevojë për tre përbërës: njohje, rrjet dhe korniza kohore. Nuk mund të hapësh lajmin e parë që të del para syve dhe të mendosh se po merr informacionin e duhur. Duhet të bëjmë zgjedhje, na duhet një dietë informacioni. Deri dy vite më parë të gjithë ishin të dehur nga çdo risi që vinte prej Silicon Valley. Shpejtësia është e bukur, mungesa e limiteve është e bukur, mbingarkesa me informacion është e bukur. Sot jemi përballë një sfide edukuese: si në rastin e ushqimit, duhet një dietë e balancuar.

    Po rrjetet personale?
    Çështja është se kemi harruar se çfarë janë marrëdhëniet: duhet të kalojmë nga database te peoplebase. Jeta jote rrethohet nga një grup njerëzish dhe duhet të bëjmë çmos që ata të mos jenë vetëm numra.

    E së fundmi koha.
    Jeta bashkëkohore dominohet nga axhendat. Ditarët dhe kalendarët duhen trajtuar si trupat njerëzorë: të ushqehen vetëm kur kanë nevojë. Por ndodh e kundërta, sot shumica e njerëzve nuk e kanë më nën kontroll kalendarin dhe kohën e tyre.

    Ky i juaji është një lloj manifesti neo-humanist.
    Po, them pikërisht se ajo që ka ndodhur është një de-humanizim. Është zhvilluar një fiksim për përmasat dhe shpejtësinë, në një kohë kur asnjë nuk është më familjar me një shkallë njerëzore. 150 njerëz është maksimumi i marrëdhënieve që mund të ndërtojmë në jetën tonë.

    Sa ka ndikuar babai juaj në zgjedhjet që keni bërë, si në planin intelektual ashtu edhe në atë profesional?
    Që kur isha vajzë nuk kam pasur shumë sukses në planin akademik, isha shumë e pasigurt. Në anën tjetër ai kishte shumë ankth. Druhej se pa kualifikimet akademike nuk do t’ia dilja në jetë. Kur nisa të gjej rrugën time, në komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun, ai shihte CV-në time dhe thoshte se ishte e tmerrshme. Unë i përgjigjesha duke i thënë se isha ajo që isha dhe duhet të pranonim dallimet mes nesh. Ishim një familje plot dashuri, por ankthi ndihej kudo.

    Në një farë mënyrë keni ndjekur hapat e tij…
    Do të ishte qesharake për mua të krahasohesha me të. Ai ishte një mendimtar i madh që ndikoi në jetën e qindra mijëra njerëzve. Por kam grabitur një copëz nga jastëku i tij për të krijuar hapësirën time. Me siguri që do t’i kishte pëlqyer./Julia Hobsbawm është shkrimtare dhe eksperte e shëndetit social. Ajo është vajza e Eric Hobsbawm , një prej personaliteteve me më shumë influencë në shekullin XX. Intervista u shqipërua nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al