• Shqip
  • English
  • E diel, 17 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Nuk ka nevojë të na e thotë Kukan, ne sytë në ballë i kemi


    “Ka marrë teposhtën” është shprehje që e përdorin andej nga Mati im dhe nëse sheh sot politikën, demokracinë, zgjedhjet, Parlamentin, jetën sociale, të rinjtë, adoleshentët, pleqtë, është e qartë se ku ndodhet Shqipëria: në udhëkryq!

    Sot, Eduard Kukan ka bërë një deklaratë, ku paralajmëron se as në vjeshtë Shqipëria nuk do marrë një datë për çeljen e negociatave dhe se Maqedonia e Veriut edhe mund ta marrë, ndryshe nga pesimizmi që vishte kumtin për Tiranën zyrtare.

    Opozita politike është jashtë Parlamentit që prej shkurtit. Zgjedhjet ishin monopartiake. Pas zgjedhjeve, një kryebashkiak iku për probleme me dekriminalizimin dhe një tjetër është rrugës (rasti Kajmaku i Vorës, për të cilin PD-ja ka publikuar dokumente për arrestimin e tij në vitin 2003, në Greqi).

    Reforma në Drejtësi ka shkaktuar përtej idealit të saj të madh, çarje të mëdha institucionale. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, Gjykata e Lartë e mpirë, presidenti Meta vepron si politikan e kryetar partie, kryeministri flet sikur është në opozitë dhe do të vijë në pushtet, ndërkaq është në mandatin e dytë qeverisës, me shumë telashe; përgjime, tendera dhe kompani fantazmë, dhe shumë letra ‘dashurie’ me rivalët e tij (letrat me Lulzim Bashën dhe letrën me Metën) por asnjë kompromis.

    Lideri i opozitës nuk entuziazmon as stafin e vet, jo më të mbledhë simpatizantë të rinj.

    Ndërkaq shqiptarët po ikin, edhe pse ka 10 vjet që i themi ‘Trunit kthehu, tani kush po mundet ikën, kush s’ka guxim rri me pishman, e për dembelizëm.

    Infermierë e mjekë, kamerier dhe kuzhinier po ashtu ikin në Gjermani.

    Për këtë nuk është faji i Macron-it, as i Merkel, as i Europës, as i njërit këtu, as i të dyve, as i disave, por i të gjithëve ne, që po kontribuojmë që kundër-Shqipëria të triumfojë, ndaj asnjë habi apo tronditje me lajmin e Kukan. Ne vetë po e shohim rënien e lirë të vendit tonë të kaltër, jeshil, me male dhe det, që e duam si viktima dhunuesin… për fat të keq!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post