Kosova

Kosova s'ka marrëveshje për qeverinë e re/ Albin Kurti tregon pse u refuzua nga Isa Mustafa

Kosova s'ka marrëveshje për qeverinë e re/ Albin Kurti

Qeveria e re e Kosovës ende nuk ka një marrëveshje. Me një video-mesazh, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaron se oferta e tij për koalicionin qeverisës u refuzua nga LDK-ja, partia e Isa Mustafës. Kështu nesër në Kuvendin e Kosovës dy partitë do të shkojnë pa arritur marrëveshje. Kurti tregon ofertën që i bëri Isa Mustafës më datën 23 dhjetor dhe refuzimin që mori.

Kreu i Vetëvendosjes u shpreh se pranoi 50% të programit të LDK-së, i dha postin e kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri, që i zgjodhi kë të donte, por problemi ishte kreu i shtetit. LDK-ja ka vendosur kusht që emri të propozohej nga kjo parti për Presidentin e ardhshëm të Kosovës, por Kurti kërkoi që nominimi i LDK-së për kandidatin për Presidentit të bëhet pasi të mos kenë gjetur një personalitet jashtë partisë, konsensual dhe kur të përcaktohet, të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes.

https://www.facebook.com/watch/?v=2438442559749009

Deklarata e Kurtit:

LDK refuzoi mbrëmë ofertën për qeverisje. Është obligim i imi që t'u njoftoj se nesër do të shkojmë pa dakordësi. Oferta ime e datës 23 Dhjetor u refuzua dje, ajo e kishte afatin deri në mesnatën e mbrëmshme dhe kishte tre pika.

Pika e parë; Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe n/ kryetari i parë, LDK-së i takon n/ kryetari i dytë.  Por le ta bëjmë rokadën, krye-parlamentarin ta marrë LDK-ja, ndërsa Vetëvendosja dy n/kryetarë.

Pika e dytë e presidentit, e lëmë për më vonë, por nëse LDK-ja insiston që nominimi të bëhet nga ajo, ne të na shtohet ministria e Brendshme. Nominimi i LDK-së për kandidatin për Presidentit të bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet jashtë partisë, konsensual. Dhe kur të përcaktohet do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes.

Pika e tretë; sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndahet. Kultura dhe Rinia i kalojnë Arsimit, Sporti Shëndetësisë. Pakicat jo serbe marrin pushtetin lokal, ndërsa pakica serbe ministrinë për komunitetet.

Kanë kaluar 80 ditë nga zgjedhjet dhe 30 ditë nga certifikimi që na nxorën fitues. Gjatë bisedimeve kemi bërë katër kompromise, ndërsa LDK-ja asnjë. Programi im është 50% nga i LDK-së, zv/ kryeministri i parë i LDK-së, 5 ministri të LDK-së, e cila zgjodhi si të përzgjidhen, meqë donte të zgjidhte e para.

Oferta që u refuzua dje ishte koncesioni ynë i pestë.  Më shumë se kaq nuk mundemi, nuk duam dhe nuk kemi ku shkojmë. I dhamë subjektit të dytë gjysmën e programit dhe qeverisë.

Tani duhet të presim, pritja i kushton shtetit, por po detyrohemi meqë nuk duam zgjedhje të reja, por institucione të reja, aty mund të arrijmë nëse udhëhiqemi të dyja palët nga drejtësia, detyra qytetare dhe transparenca.

E di që jeni lodhur, si unë, por ndryshimin që keni prodhuar në 6 tetor nuk do të lejojmë të zvogëlohet. Ky është moment historik. LDK e ka në dorë përcaktimin për ndryshimin./ Tiranapost.al