• Shqip
  • English
  • E diel, 21 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Të gjitha

    Nuk jeni në qendër të botës, prandaj hiqeni turpin dhe mjaft u sollët si egoistë


    Nga Oliver Burkeman/ Pas shumë vitesh që kam jetuar me amerikanët, më kanë bindur se sjellja e tyre kundrejt një prej dilemave më të mëdha të jetës është e drejtë. Kur jemi në restorant, a është e drejtë që ta kthejmë mbrapsh një pjatë nëse nuk është ashtu siç e kishim porositur, pra nëse është një pjatë e ftohtë kur duhej të ishte e nxehtë, kur është e mbushur me djathë nëse nuk e kishim porositur me djathë? Sigurisht që frika nga të dukurit është aq e madhe sa mua vetëm ideja me fut ankthin. Por në fund jam bindur se zakonisht kjo frikë është vetëm një formë egocentrizmi.

    A jemi vërtetë kaq të rëndësishëm sa që po të kërkojmë një pjatë pa djathë, njerëzit që po gatuajnë për ne do të paralizohen krejtësisht, do t’i prishim ditën kamerierit dhe do të traumatizojmë gjithë stafin e kuzhinës? Le ta shohim në sy të vërtetën: nuk jemi aq të rëndësishëm, por ama jemi më shumë prè e asaj që mund ta quajmë “heshtje egocentrike”. Paradoksi këtu është se frika jonë për të qenë në qendër të vëmendjes niset nga supozimi se aktualisht jemi në qendër të vëmendjes së të gjithëve.

    Heshtja egocentrike është vështruar së fundmi në një studim, prej të cilit doli se njerëzit zakonisht e nënvlerësojnë shumë kënaqësinë që mund të japë një mesazh falenderimi.

    Në qendër të botës
    Psikologët Amit Kumar dhe Nicholas Epley i kanë kërkuar një grupi njerëzish t’i dërgojnë një mesazh falenderimi dikujt që ka bërë diferencën në jetën e tyre. Në më të shumtën e rasteve, pjesëmarrësit kanë menduar se fjalët e tyre nuk do t’u jepnin ndonjë kënaqësi të madhe marrësve dhe se do t’i vinin në siklet. Gjithashtu mendonin se marrësit do t’i gjykonin ashpër mesazhet e tyre.

    Madje ndodhte që edhe në këto raste, falenderuesit të vinin në qendër të mesazhit veten e tyre. Kështu pra, duhet të dini se nëse doni të falenderoni dikë dhe keni turp apo ju duket një nismë e kotë, jeni duke i lejuar egocentrizmit tuaj të sabotojë një iniciativë që do do t’ju bëjë të dyve të lumtur.

    Forma më e përhapur e heshtjes egocentrike është rasti ekstrem i turpit. E kuptoj se ata që vuajnë nga kjo, nuk ndihen mirë teksa po lexojnë këto fjalë, por duhet t’u them se nëse bllokohemi nga ndjenja se të gjithë po na gjykojnë, a nuk jemi duke e mbivlerësuar veten së tepërmi?

    Në një eksperiment të famshëm, disa studentë që mbanin veshur bluzat me portretin e Barry Manilow, të zgjedhura pikërisht sepse ishin të sikletshme, do të duhej të kalonin nëpër klasa të tejmbushura me shokët e shkollës. Njerëzit që i vunë re bluzat nuk ishin as gjysma e atyre që pritej prej atyre që i kishin veshur.

    “Turpi është tipik për ata që ndihen sikur janë në qendër të botës”, ka thënë një herë aktorja Penelope Keith gjatë një interviste.

    Prandaj dërgojeni mesazhin e falenderimit. Merrni në telefon mikun që ka pësuar një fatkeqësi. (Mendimi se në këtë mënyrë s’do bëni asgjë tjetër veçse t’i kujtoni dhimbjen është një tjetër formë egocentrizmi). Merrni pjesë në nisma për të cilat nuk mendoni se nuk jeni në lartësinë e duhur. Dhe mos harroni, kthejeni mbrapsh pjatën në restorant nëse është e nevojshme. Është mirë të dukesh modest, por ndonjëherë duhet të zbrisni nga piedestali./Artikull i botuar në “The Guardian”, shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al