• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Botë Të gjitha

    Nuk do të shpallim kurrë armëpushim ndaj kurdëve në Siri! Erdogan nuk shqetësohet as nga kërcënimi amerikan


     “Ne nuk do të shpallim kurrë armëpushim”. Këtë tha presidenti turk, Erdogan pasi u kthye nga një vizitë në Azerbajxhan. Deklarata e tij lidhet me sulmet në Siri, ndaj forcave kurde atje dhe tërheqjes së trupave amerikanë. Por Trump ka thënë se po e vëzhgon aksionin dhe nëse nuk luan me rregulla, do të sanksionohet rëndë, por kjo për Erdogan nuk përbën shqetësim.

    Presidenti turk nuk do të përkulet para presionit nga Uashingtoni dhe trupat turke duhet të arrijnë fillimisht objektivin e tyre, krijimin e një zone mbrojtëse përgjatë kufirit.

    Jo më larg se e hëna, Amerika vendosi sanksione ndaj Turqisë për shkak të ofensivës ushtarake turke në veri të Sirisë, të nisur javën e kaluar dhe bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se masat ndëshkuese mund të zgjerohen, nëse hapat e deritanishëm nuk do të kenë efekt.

    Ndërkohë, ushtria turke po e vazhdon ofensivën e saj pa u trazuar. Në veri të Sirisë, forcat e armatosura patën të martën përsëri luftime të ashpra me milicinë kurde, YPG. Edhe ushtarë sirianë janë të përfshirë në luftime. Në lindje të qytetit të Ain Issa, trupat turke vranë të paktën dy prej tyre dhe plagosën të tjerë, siç bëri të ditur Qendra Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut.

    Ankaraja e justifikon operacionin ushtarak në vendin fqinj me të drejtën e saj për vetëmbrojtje. Turqia i konsideron YPG dhe krahun e saj politik PYD si organizata terroriste. YPG mban kontakte të ngushta me Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurd PKK, e cila ndodhet në listën e organizatave terroriste edhe në SHBA dhe në Evropë.

    SHBA, një ndërmjetësuese e besueshme?

    Zëvendësi i Trumpit, Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo sot udhëtuan për në Ankara për ta bindur Turqinë të përfundojë ofensivën e saj. Sidoqoftë, ishte vetë Presidenti amerikan që e hapi rrugën për operacionin ushtarak me tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga rajoni. Tërheqja e aleatëve të tyre u perceptua si tradhëti nga kurdët, pas viteve të luftimeve me SHBA kundër milicisë terroriste “Shteti Islamik” (IS).

    Edhe Rusia është angazhuar në negociata. Presidenti Vladimir Putin dhe Erdogan ranë dakord në një telefonatë që të takohen ditët e ardhshme për të diskutuar ofensivën turke, njoftoi Kremlini. Putini e ftoi Erdoganin në Moskë. Nisma për telefonatën pati ardhur nga pala turke, vazhdoi zyra e Putinit. Presidenti rus kishte paralajmëruar veç kësaj, se xhihadistët e arrestuar mund të shpëtojnë për shkak ofensivës turke, u bë e ditur.

    Këshilli i Sigurimit i OKB takohet përsëri sot për një seancë tjetër të veçantë për sulmin turk në veri të Sirisë. Vendet perëndimore kanë frikë se kjo mund të çojë në riforcimin e Shtetit Islamik.

    Aktualisht, luftimet në veri të Sirisë prekin kryesisht popullsinë civile. Një javë pas fillimit të operacionit ushtarak turk në vendin fqinj kundër militantëve kurdë, sipas informacioneve të OKB tashmë të paktën 190.000 vetë kanë marrë arratinë nga bombat dhe predhat./ Artikulli i marrë nga Deutsche Welle/ Tiranapost.al. 

    Luftë, presion mes liderësh dhe njerëz që ikin! Çfarë po ndodh tani në Siri dhe pse Trump i tërhoqi trupat?

     

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post