Aktualitet

Nuk deklaruan pasurinë, Arta Marku pezullon Rovena Gashin dhe Dritan Ginën

Rovena Gashi dhe Dritan Gina, burë e grua janë pezulluar nga detyra e Prokurorit pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, pasi të dy kanë refuzuar të deklarojnë pasurinë.

“Pezullimin nga detyra të prokurores pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, znj. Rovena Gashi. Pezullimi i znj.Gashi u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetases Rovena Gashi për veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal. Pezullimin nga detyra të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, z.Dritan Gina. Pezullimi i z.Gina u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetasit Dritan Gina për veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurorja Gashi dhe prokurori Gina do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.