• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kosova Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Njihuni me Liridonin nga Kosova, ligjërues në Universitetin e Liezhit në Belgjikë


    Pasi të përshëndet dhe të jep dorën, Liridoni ka aq shumë mundësi për të prezantuar veten e për të të treguar se cili është ai djalë i gjatë, brun, rreth të tridhjetave. Mund të thotë për shembull që është ligjërues dhe studiues në Universitetin e Liezhit. Mund të thotë që është politolog. Mund të thotë që është zv.Drejtor i Qendrës për studime të marrëdhënieve ndërkombëtare (Center for International Relations Studies – CEFIR). Në fakt, ai i rrëfen këto e shumë të tjera, vetëm nëse personi që ka përballë kërkon të dijë më shumë për të. Por ai vetë i bie shkurt e saktë dhe të prezantohet vetëm si Liridoni nga Kosova, për të cilën mund të flasë e të flasë pa u lodhur për orë e orë të tëra, me një shqipe të pastër, të cilës nuk i është dëmtuar as edhe një bashkëtingëllore nga frëngjishtja, që është edhe gjuha e tij e dytë prej 17 vjetësh.

     

    Duhet theksuar mirë fjala “e dytë”, sepse pavarësisht se jeton e punon në Belgjikë, ka studiuar në universitet, ka bërë master e është duke përfunduar doktoraturën e punon në universitet, për Liridonin gjuha e tij e parë vazhdon të mbetet shqipja. “Në shtëpi flasim veç shqip, sidomos me djalin tonë të vogël, Lindonin, 2 vjeç e gjysmë. Gruaja ime, Adelina, menaxhere në një ndërmarrje shtetërore në Bruksel dhe politologe gjithashtu, është shqiptare nga Maqedonia. Kanalet televizive që ne ndjekim janë veçse shqiptare”, fillon e të tregon Liridoni.

    Me bashkëshorten ditën e dasmës
    Liridoni dhe i biri, Lindoni

    Për fat të mirë, emigrimi për të nuk ka qenë si për shumë të tjerë. Të gjithë peshën e rëndë dhe pasojat që sjell një largim nga vendlindja i kambajtur babai i tij, i cili pasi doli nga burgjet serbe ku ishte burgosur si rob lufte në Kosovën e 1998-1999-ës, u kthye në Belgjikë, ku dikur kishte jetuar, për disa probleme shëndetësore të shkaktuara nga torturat e gjata e çnjerëzore në burg. Aty për aty vendosi që të tërhiqte edhe familjen e tij. Liridoni ishte 16 vjeç kur la Kosovën. As krejt i vogël për të mos kuptuar se ç’po ndodhte rreth tij e as shumë i rritur sa për të pasur përgjegjësi për familjen. “Në fakt, unë duhet të bëja vetëm diçka: të shkoja në shkollë dhe të mësoja fort. Për të tjerat mendonte babai, i cili është inxhinier me profesion por filloi të punonte jashtë profesionit, bashkë me nënën, vetëm e vetëm që mua të mos më mungonte asgjë e të isha i qetë për të studiuar. Po ç’të studioja? Unë nuk dija as edhe një fjalë frëngjisht. Në atë kohë nuk kishte «google translate» dhe unë përktheja me fjalor çdo fjalë. Shkoja në shkollë por nuk kuptoja gjë”. Se ç’durim i është dashur, veç ai e di. Ne të tjerët mund të lodhemi veç duke imagjinuar se ç’do të thotë të shfletosh fjalorin për çdo fjalë që dëgjon e lexon. “Kur dikush më thoshte që do më duheshin nja dy vjet për të mësuar gjuhën, më dukej sikur më shante. Unë kisha ngut. Doja të mësoja sa më shpejt që të kapja ritmin në shkollë. E megjithatë, u deshën dy e më shumë vite derisa arrita të zotëroja mirë frëngjishten dhe të përparoja në studime”.

    Pranimi i çmimit euro-atlantik nga Didier Reynders, Ministër i Punëve të Jashtme të Belgjikës

    Dhe jo vetëm vazhdoi bachelor e master në shkenca politike dega Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Liezhit. Por me t’u diplomuar, universiteti nuk e la të shkonte atë student të shkëlqyer me çmime e certifikata për arritjet e tij akademike. Menjëherë filloi punën po aty si pedagog në departamentin e shkencave politike, ku ligjëron dy lëndë në shkallën master: e para, sistemet politike të Ballkanit Perëndimor dhe e dyta Ballkani Perëndimor ndërmjet integrimit në Bashkimin Europian dhe ndikimit të fuqive në ngritje e sipër. Larg nga vendi i tij, por në një vend që i ofroi mundësi të tjera e njohjeme njerë të mrekullueshëm, siç i përcakton vetë Liridoni.

    “Tani ligjëroj në gjuhën frënge në të njëjtat salla ku dikur isha student dhe ku për shkak të gjuhës nuk kuptoja mirë se çfarë thoshin profesorët e mi. Ishte kohë e vështirë por kaloi. Këtë vit përfundoj doktoraturën mbi marrëdhëniet trekëndore midis Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Europian dhe Turqisë”, tregon Liridoni, duke të shpjeguar se gjatë këtyre viteve si profesor në Universitetin e Liezhit ka qenë një hallkë e fuqishme lidhëse mes këtij institucioni dhe Universitetit të Prishtinës.

    Me Ambasadorin e Kosovës në Bruksel, 2012
    Konferencë me ambasadorin aktual të Kosovës në Bruksel

    Ai vetë ka dhënë leksione në Prishtinë dhe ka mundësuar konferenca, seminare, shkëmbime akademike, bursa për studentët kosovarë, që kanë ardhur për të studiuar në Belgjikë dhe ftesa për figura të ndryshme të Kosovës, që kanë ligjëruar në auditoret ku Liridoni jep mësim. Të gjithë ata që e njohin e dinë mirë se ç’është Kosova për Liridon Likën. Kur sheh CV-në e tij aq të pasur e karrierën aq të suksesshme, i pari mendim që të vjen në kokë është se ai e ka pasur gjithë terrenin për t’i shkëputur krejtësisht lidhjet me vendin e tij të lindjes, i cili mund t’i mbetej me shumë gjasa veç një kujtim i largët. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur kurrë as në mendimet e tij e aq më pak në atë që bën e thotë çdo ditë. Është kaq i lidhur me atë tokë, sa nuk i duket aspak e çuditshme ideja që një ditë të bëjë valixhet e të jetojë në Kosovë. Themelet i ka të forta, sepse aty shkon dy herë në vit, në dy shtëpitë e familjes së tij, një në Prishtinë e një në Drenicë, aty ku ka lindur.

    Me prindërit ditën e dasmës
    Foto nga fëmijëria në Kosovë

    “Mua më dhemb largimi i të rinjve të Kosovës. Është një plagë shumë e madhe për vendin tim. Dhe kur them që do doja të kthehesha e them se vërtet e ndjej kështu”. Mbase ajo ditë është e largët. Liridoni është në kulmin e karrierës si politolog. Ka aq shumë plane, pjesë e të cilave është gjithmonë vendi i tij i lindjes Kosova, për zhvillimin e të cilit ai punon çdo ditë, edhe pse larg fizikisht. Me mendje është përherë aty. Aq sa kur prezantohet me këdo që e takon për herë të parë, thotë vetëm se është Liridoni nga Kosova./Klaudeta Skënderasi